Ministria e Bujqësisë ka formuar një komision i cili do të bëjë vlerësimin e gjendjes në terren, pas vërshimeve të fundjavës.
Në një njoftim për media, Ministria ka njoftuar se pas vlerësimit të dëmeve, do të kompensohen bujqit që janë dëmtuar.
“Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo ka vlerësuar të arsyeshme që t’i kompensojnë të gjitha dëmet që u janë shkaktuar fermerëve në sektorin e bujqësisë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, kryeministri i Kosovës u ka kërkuar ministrave të kabinetit të tij që të dalin me propozime konkrete sesi mund të ndihmohen zonat e prekura.
“Pas vërshimeve që kanë ndodhë në Kaçanik, në Gorë dhe Deçan kam kërkuar prej disa ministrave të vinë me propozime konkrete se çka do të ndërmarrim ne ose çka mund edhe të kompensojmë nga dëmet e shkaktuar nga vërshimet, pra të jemi me qytetarë”, tha ai.
Nga vërshimet më të prekura janë komunat e Kaçanikut, Istogut, Deçanit e Prizrenit.