Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo ka pritur sot në një takim përfaqësueset e shoqatës “Rrjeti i Grave të Kosovës”, me të cilat ka diskutuar për angazhimin e grave në veprimtaritë bujqësore, si dhe për gjendjen sociale të grave në zonat rurale.
Ministri Rikalo i ka njoftuar ato për projektet zhvillimore të ministrisë dhe theksoi se të gjitha programet që synojnë avancimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural do të jenë afirmative për statusin e barabartë të grave, me qëllim të mbështetjes dhe rritjes së pjesëmarrjes së tyre në sektorin e bujqësisë.
Në anën tjetër, drejtoresha ekzekutive e “Rrjetit të Grave të Kosovës”, Igballe Rugova, ka prezantuar para ministrit raportin “Buxheti për bujqësi më të mirë dhe zhvillim rural“, me ç’rast ka theksuar se edhe në pajtim me Ligjin për Barazinë Gjinore gratë duhet të përfshihen në mënyrë të barabartë në të gjitha fazat e planifikimit dhe zbatimit të buxhetit në politikën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Ndërkaq, ministri Rikalo, me këtë rast theksoi se dyert e MBPZHR-së janë të hapura si për “Rrjetin e Grave të Kosovës”, ashtu edhe për të gjitha shoqatat e grave që merren me bujqësi dhe se Ministria do të vazhdojë t’i mbështesë dhe përfshijë ato në të gjitha fushat, në mënyrë që të përmirësojë pozitën shoqërore të grave në zonat rurale.
Përfaqësueset e RrGK-së përgëzuan ministrin Rikalo për detyrën e re dhe e falënderuan për gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit me këtë shoqatë.
Ndryshe, MBPZHR-ja dhe “Rrjeti i Grave të Kosovës” kanë bashkëpunuar ngushtë për zbatimin e analizës gjinore me qëllim të promovimit të barazisë gjinore nëpërmjet punës së ministrisë.