Rikthehet B1-shi, KEK: Jemi duke punuar me kapacitete të plota prodhuese

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar opinionin publik se nga ora 15:00, Njësia B1 është rikthyer me sukses në operim dhe aktualisht po funksionon në gjendje të qëndrueshme teknike, në përputhje të plotë me parametrat operacionalë dhe të sigurisë.

Sipas njoftimit të kësaj korporate, thuhet se duke pasur parasysh se KEK, në operimin e rregullt, angazhon katër njësi prodhuese, “rikthimi i Njësisë B1 nënkupton se KEK po operon me kapacitete të plota prodhuese, duke garantuar stabilitet të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik”.

KEK-u tha se ndalesa e përkohshme e Njësisë B1 ka qenë rezultat i rrjedhjeve të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës, çështje të cilat tha se janë adresuar me sukses përmes ndërhyrjeve profesionale, sanimeve të planifikuara dhe menaxhimit efikas teknik, “të realizuara brenda një afati optimal operacional, pa kompromentuar sigurinë dhe integritetin e njësisë”, raporton Klankosova.tv.

Ndërkaq, KEK theksoi se përgjegjësitë në sektorin energjetik në Kosovë janë të ndara qartë me legjislacion dhe licenca përkatëse.

“Që nga viti 2013, përgjegjësitë e KEK sh.a. përfshijnë ekskluzivisht eksploatimin e thëngjillit, prodhimin e energjisë elektrike dhe termike, në përputhje me mandatin ligjor dhe licencat përkatëse. Ndërkaq, furnizimi i konsumatorëve të rregulluar me energji elektrike, sipas licencës përkatëse, është përgjegjësi ekskluzive e kompanisë së furnizimit dhe nuk bën pjesë në kompetencat e KEK sh.a”, u tha në njoftimin e KEK-ut.

Korporata shtoi se mbetet e përkushtuar për operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe transparent, duke garantuar stabilitet të prodhimit vendor, siguri energjetike dhe informim të rregullt, të saktë dhe objektiv të publikut për gjendjen reale operative.

Të ngjashme