Rimëkëmbja e ekonomisë, prioriteti i dytë i Qeverisë Kurti

Prishtinë | 08 Maj 2021 | 09:44 | Nga Ekonomia Online
Programi i Qeverisë për periudhën 2021-2025 përmban gjithsej dy prioritete dhe përmban planet sektoriale të ndara në 18 fusha. Dokumenti, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA, nis me politikat për menaxhimin e pandemisë dhe përfundon me pozicionin që ekzekutivi do ta ketë në raport me Serbinë.

Dy prioritete dhe plane sektoriale të ndara në 18 fusha, përmban Programi i Qeverisë i miratuar të premten. Dokumenti 58-faqesh që e ka siguruar KOHA, nis me politikat për menaxhimin e pandemisë dhe përfundon me pozicionin që ekzekutivi do ta ketë në raport me Serbinë.

Menaxhimi i pandemisë së Covid-19 është një nga dy prioritetet e vetme të deklaruara në Program. Ai do të kalojë në 11 hapa. Nis me hartimin e planit strategjik anti-Covid19, vazhdon me sigurimin e vaksinës për 60 për qind të qytetarëve në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar deri në fundin e vitit 2021 dhe përfundon me ndihmën direkte që parashihet për familjet të cilët i kanë humbur kryefamiljarin ose edhe burimin e financimit si pasojë e vdekjes nga Pandemia.

“Hartimi i Planit të ri për testim dhe gjurmim; Rivlerësim i efektshmërisë së masave të vëna dhe zbatimit të tyre, analiza e situatës epidemiologjike dhe vënie e masave adekuate e të bazuara në të dhëna për parandalim të përhapjes së infeksionit nga Qeveria. Ngritje dhe fuqizim të kapaciteteve mbikëqyrëse shtetërore për zbatim të masave të vëna nga Qeveria; Edukim i vazhdueshëm mjekësor, zhvillimi i vazhdueshëm profesional për punëtorët shëndetësorë si dhe edukim e promovim për qytetarët rreth përditësimit të masave antiCovid-19, informim rreth vaksinimit, vetëdijesim dhe komunikim përmes fushatave”, janë disa nga hapat e tjerë. “Kostoja dhe buxhetimi i udhërrëfyesit dhe protokolleve klinike me qëllim sigurimin e barnave dhe produkteve medicinale anti-COVID, që të parandalohet varfërimi i qytetarëve, respektivisht pagesave nga xhepi i tyre”.

Ringjallja ekonomike është listuar si prioritet i dytë është.

Aty theksohet synimi i Qeverisë për rritjen e fuqisë blerëse, nëpërmjet intervenimeve me masa që mbështesin rritjen e likuiditetit tek amvisëritë dhe me mbështetjen e atyre që kanë nevojë më së shumti për ndihmën e shtetit. Nëpërmjet rritjes së pagës minimale në 250 euro, për 40 orë pune në javë, dhe ngritjes së pragut të pagës që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, sipas Programit, Qeveria do të sigurohet që ata që kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në fund të muajit.

Qeveria daljen nga pandemia e sheh si mundësi të re për të riorientuar ekonominë drejt prodhimit e eksportit, drejt rritjes së punësimit të dinjitetshëm për të gjithë, si dhe drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, që mbron ambientin edhe për gjeneratat e ardhshme.

Në kuadër të tij prioriteti, ka një zotim për të rinjtë që kualifikohen për punë.

“Me anë të masave të intervenimit, do të mbështesim edhe ata kanë qenë të papunë, e që kanë gjetur një vend pune. Ndërsa mbështetja më e madhe do të jetë për të rinjtë të cilët hyjnë në tregun e punës për herë të parë”, thuhet në dokument. “Nëpërmjet skemës për punësim të garantuar për të rinjtë, do të paguajmë pagën minimale për 1 vit, për secilin të ri që punësohet për herë të parë”.

Qeveria është zotuar të angazhohet për krijimin e Fondit Sovran, i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës, dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Po kështu, do ta shuajë Agjencinë Kosovare për Privatizim dhe do ta transferojë në një agjenci brenda qeverisë.

Është paraparë edhe krijimi i Bankës Zhvillimore të Kosovës, një mekanizëm për të mbështetur sektorin privat dhe promovuar investimet.

“Ky mekanizëm do të jetë komponenti kreditues, i cili do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar”, thuhet në Program.

Në fushën e sundimit të ligjit janë listuar dy politika kryesore.

“Do të ndërmarrim hapa në fillimin dhe zhvillimin e procesit të vetingut në gjyqësor dhe prokurori, duke filluar nga nivelet e larta hierarkike”, është njëra nga to. “Për të avancuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të hartojmë projektligjin për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, që mes tjerash, do të parashihet konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikuar (përmes transferimit të barrës së provës te personi i dyshuar)”, është politika tjetër.

Qasja e Qeverisë në raport me dialogun me Serbinë është prezantuar në pikën e fundit, atë 18, që trajton planet sektoriale të ndara në fusha të politikave.

Ekzekutivi shpreh aty zotimin se angazhohet në dialogun me fqinjin verior me synim normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe. Dialogu me Serbinë, sipas Programit, zhvillohet për adresimin e çështjeve ndërshtetërore dhe fqinjësisë së mirë, dhe ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve nga rezultatet e dialogut politik. Në këtë dokument theksohet se marrëveshja finale e synuar do të ketë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga suksesioni i ish-Federatës Jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv.

“Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore do të përfshijnë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe garancinë për anëtarësim në OKB”, thuhet në program. “Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me partnerët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Kosovës konsideron se pjesëmarrja në dialog duhet të bëhet duke u bazuar në përgatitje të mirëfilltë dhe dakordim të përbashkët për temat që duhet të dialogohen. Për këtë proces do të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ftojmë të gjitha partitë politike, si dhe do të angazhojmë ekspertë të njohur për të kontribuuar në këtë drejtim”.

Qeveria Kurti është votuar në Kuvend më 22 mars. Opozita, por edhe shoqëria civile, e ka kritikuar vazhdimisht për qeverisjen e deritashme pa program.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme