Pandemia COVID-19 ka ndikuar negativisht në ekonomi me theks të veçantë në tregun e punës. Për ngadalësimin e përhapjes së pandemisë ka qenë e nevojshme kufizimi i lëvizjes dhe mbyllja e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, por kjo ka ndikuar në rënie ekonomike që do të reflektoj në rritje të papunësisë dhe varfërisë. Në Kosovë, kriza ekonomike e shkaktuar nga COVID-19 është më e thella që nga paslufta.
Situata ekonomike në Kosovë ka qenë e paqëndrushme edhe para pandemisë. Kosova karakterizohej me përqindje të lartë të papunësisë (25%) veçanërisht tek gratë dhe të rinjtë (49%). Në anën tjetër, përqindja e të punësuarve është tejet e ulët (30%), me theks tek gratë ku vetëm 14% prej tyre janë të punësuara. Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 i përkeqësoi tutje këto shifra, deri në prill të vititi 2020, numri i të regjistruarve si të papunë u shumëfishua dhe shkoi në 37 mijë persona.
Sipas Bankës Botërore, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 8.8% gjatë vitit 2020 dhe kjo pritet të ketë efekt mbiproporcional tek shtresat e varfëra që llogaritet të jenë rreth 18% e popullsisë, qoftë përmes humbjes së vendeve të punës apo tek kategoria informale e të punësuarve, apo ngase çmimet për produkte esenciale mund të rriten. Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës kishte miratuar një Pako Emergjente Fiskale e cila prek shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke filluar nga shtresat e varfëra që varen nga skemat sociale, pensionistët që marrin deri 100 euro, ata që kanë humbur vendet e punës apo të punësuarit në sektorin informal. Kjo pako, për nga madhësia në proporcion me Bruto Produktin Vendor, ishte e dyta në Ballkan dhe sipas ish-Ministrit të Financave, z. Besnik Bislimi, dhe ka prekur rreth 16% të popullsisë së Kosovës.
Mirëpo sipas ligjëruesit të politikave sociale z. Artan Mustafa, reagimi i qeverisë me pakon emergjente ka qenë minimale, brenda kornizës së sistemit aktual si shtet liberal i cili pret që mirëqenia të krijohet nga tregu i lirë. Kompenzimet për paga janë bazuar në pagën minimale megjithëse kjo pagë nuk është përditësuar nga viti 2012. Me këtë qëndrim është pajtuar edhe z. Bislimi, i cili dha shpjegime se qeveria e ka pasur të pamundur që të dal jashtë kornizës aktuale ligjore, ngase ka munguar përkahja e Kuvendit të Kosovës si pasojë e mocionit të suksesshëm të mosbesimit. Megjithatë, në hartimin e Pakos Fiskale Emergjente në mënyrë indirekte qeveria doli nga korniza ligjore, duke përdorur kritere tjera për ndihmë ndaj të varfërve.
Panelistët u pajtuan se skemat sociale aktuale dhe kriteret për definimin e varfërisë janë të pamjaftueshme dhe të gabuara. Struktura aktuale e rregullimit të politikave sociale ka shumë dobësi dhe këto janë shpërfaqur edhe më shumë si pasojë e krizës së shkaktuar nga COVID-19. Shifrat për shpenzimet sociale duken të larta, mirëpo skemat sociale për targetimin e varfërisë janë të ulëta. Krahas kësaj, në shumë skema sociale ka abuzime duke u bërë pjesë të skemave persona që nuk i plotësojnë kriteret. Në anën tjetër, statistikat e institucioneve publike për të papunët janë të mangëta. Një numër i madh i punërkuesve nuk kanë qenë formalisht të regjistruar në Agjencinë e Punësimit. Krijimi i regjistrit me profilet e të papunësuarve, mundëson hartim më të mirë të politikave të punësimit.
Problem tjetër që është shfaqur në pandemi është edhe keqmenaxhimi dhe nënshpenzimi që ka ekzistuar në sistemin publik shëndetësor. Gjithashtu, mungesa e sigurimit shëndetësor publik është një problematikë tjetër ngase sigurimet private nuk i mbulojnë shpenzimet e pandemisë. Duhet të sqarohet se sigurimet shëndetësore nuk e zëvendësojnë sistemin aktual, por rrisin shpenzimet në shëndetësi.
Gjendja sociale e qytetarëve të Kosovës mbetet kritike dhe për të adresuar këtë çështje duhet që të dizajnohen politika publike të qëndrueshme të cilat krijojnë shpërndarje më të barabartë në shoqëri. Gjithashtu, nevojitet edhe një reformim rrënjësor i politikave dhe ndarjeve buxhetore për çështje sociale. Në këtë drejtim, ka nevojë për sigurim social sikurse ai i papunësisë, si dhe sigurim shëndetësor universal. Familjet e varfëra mund t’i rrisin shpenzimet në edukim apo shëndetësi, në rast se shtesat e fëmijeve menaxhohen nga nënat apo një pjesë e ndihmës sociale jipet në formë të kuponave. Përveç rritjes së shpenzimeve sociale, varfëria mund të targetohet edhe përmes rritjes së progresivitetit në taksa. Kriteret dhe definimi i varfërise duhet të bazohet në të ardhura dhe deprivim, e jo në konsum.
Krahas kësaj nevojitet rritje e rolit të shtetit në sigurimin e mirëqenies ekonomike të qytetarëve. Politikat sociale shmangin pasojat e varfërisë, por varfëria ulet përmes punësimit. Në mënyrë që të rritet punësimi i grave, mund të ndërmerren masa për largimin e TVSH-së për institucionet parashkollore si dhe të shfrytëzohen objektet ekzistuese shkollore për kopshte të reja publike.
Krahas kësaj duhet të hartohet një pako për rimëkëmbje e cila është gjithpërfshirëse dhe njëkohësisht i targeton shtresat e margjinalizuara dhe sektorët e dëmtuar më shumë si ai i gastronomisë dhe hotelerisë. Për hartim të pakos nevojiten së pari kritere të qarta, pastaj të definohen masat dhe financimi, ndërsa krejt në fund edhe parakushtet që duhet të plotësohen dhe hartimi i politikave publike. E ardhmja ekonomike varet nga menaxhimi shëndetësor, masat ekonomike si dhe pritjet e vet qytetarëve apo besimi në ekonomi. Kosova ka pasur mungesë të konsensusit politik, prandaj bashkëpunimi mes partive politike është praakusht për dalje nga kriza. Në rast se ndërmirren masa gjithëpërfshirëse, kriza mund të shndërrohet në mundësi.