Rinia Demokratike e Kosovës ka besim se PDK-ja, nën udhëheqjen e Kadri Veseli, do të dalë bindshëm fituese në zgjedhjet e ardhshme, që pritet të mbahen në shtator.
Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se Rinia Demokratike preferon që partia e tyre të shkojë e vetme në zgjedhje.
“Si rini ne preferojmë që PDK-ja të shkoj e vetme në zgjedhje bashkë me koalicion vetëm me qytetarët e Kosovës, sepse PDK-ja është fituese dhe gjithmonë ka qenë fituese bashkë me qytetarët e Kosovës”, tha Bislimi.
Ai tha se partitë tjera po bashkohen pasi që e dinë që nuk mund të ia dalin të vetme në zgjedhje dhe se PDK-ja bindshëm do të jetë fituese në këto zgjedhje.
“Sikur të kishin ditur se janë fitues ata nuk do kishin shiku me bashkëpunu me secilën metodë apo pa kushte totalisht jo relevante për anët e partive”, tha Bislimi.
“Sa i përket rezultatit që e parashikon Rinia Demokratike e Kosovës, është fitore bindëse e Partisë Demokratike në këto zgjedhjet e ardhshme”, shtoi ai.
Bislimi thotë se Rinia Demokratike është me forumin më të organizuar në nivel vendi dhe rajoni, ku ka shumë përkrahës të cilët po shtohen çdo ditë e më shumë.
“PDK-ja me rininë qëndron shumë mirë. Në organizim jemi partia me forumin më të organizuar rinor në nivel vendi, por mund të them me kompetencë të plotë ndoshta edhe në nivel rajoni, jo vetëm brenda strukturave, por ne kemi përkrahës rinorë edhe jashtë strukturave”.
“Shenja më e mirë e kësaj ka qenë edhe tubimi i djeshëm që e kemi pasur me rininë dhe studentët dukagjinas që ishte tubim shumë i mirë që janë inkuadruar në PDK dhe kanë zgjedhe këtë parti për të vazhduar rrugëtimin tyre politik dhe të kontributit ndaj komunitetit, shoqërisë dhe vendit të cilit i takojnë dhe janë vetëm disa shenja që e dëshmojnë që rinia e përqafojnë PDK-në dhe kryetarin Kadri Veseli”, tha ai.
Bislimi tha se PDK-ja vazhdimisht ka dëshmuar se beson dhe i jep hapësirë të madhe rinisë kosovare.
“PDK-ja gjithmonë e ka dëshmuar hapësirën e madhe që jep rinisë edhe brenda strukturës, por edhe jashtë. Vizioni politik që ka është me kriju sa më shumë mundësi të barabarta në punësim dhe shkollim për rininë kosovare, edhe për rininë që i ka nëpër forume rinore të PDK-së, gjithmonë ka dhënë hapësirë të mjaftueshme”, tha Bislimi për EO.
“Në të kaluarën ne kemi ministra, zëvendësministra, shefi i grupit parlamentar nga rinia demokratike e Kosovës edhe në të tashmen kemi kryesues Kuvendi, drejtor komunal, asamblistët më të votuar nga rinia demokratike e Kosovës, shef të grupeve parlamentare nëpër komunat përkatëse dhe kjo dëshmon se PDK-ja i beson rinisë dhe rrugëton bashkë me rininë”, shtoi ai.