Ulja e kapaciteteve në Kosovë ka shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë që të riorganizojë agjendën e testimeve të kontakteve të të infektuarve me Covid-19.
Ketë e ka mirëpritur Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë.
Isme Humolli nga OBSH-ja ka thënë se Kosova nuk është vendi i vetëm në botë që ka filluar së zbatuari rekomandime të tilla, për riorganizimin e personave që mund të testohen, raporton KOHA.
Ministria e Shëndetësisë këtë të hënë u ka shpërndarë disa rekomandime komunave të Kosovës për të mos testuar më rastet e kontaktit të të infektuarve, nëse nuk kanë simptoma.
Edhe mikrobiologu Lul Raka ka mirëpritur këtë veprim. Përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se duhet të shikohen kapacitetet reale, dhe nëse testohen të gjithë, atëherë testet mund të harxhohen shumë shpejt.
“Testohen kontaktet simptomatike. Nëse për një ditë i ke 100 raste dhe mesatarja e kontakteve është 35, atëherë i keni 3500 raste që kërkojnë testim. Në rrethana të tilla bëhet prioritizimi i testimeve sipas rekomandimeve të djeshme. Përndryshe, ka edhe kërkesa të tjera nga njerëz që planifikojnë të shkojnë në det. Llogaritje e thjeshtë sa shpejt mund të harxhohen testet. Ne i shikojmë kapacitetet tona reale”, ka thënë ai.
Edhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tregon se si duhet të veprohet me vendet që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për testim.
Aty thuhet se testimi i kontakteve të të infektuarve duhet të bëhet në bazë të disa kritereve, e që përfshihen personat me simptoma, ata që kanë sëmundje kronike dhe personat që trajtohen në Klinika.
Ndonëse ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në fillim të mandatit ka thënë se do të nisin testimet në masë, nga ky dikaster gjatë të martës nuk janë përgjigjur për numrin e testeve që posedon Kosova dhe për kapacitetin që ka në testim.
MSH-ja në përgjigje ka thënë se nuk është ndaluar testimi i rasteve të kontaktit, por janë caktuar prioritete sipas rekomandimeve të fundit të OBSH-së e ECDC-së.