Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Projektin “KosEd: Përkrahje për Arsimin Fillor dhe të Mesëm të Lartë” kanë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet për procesin e rishikimit të teksteve shkollore, raporton Ekonomia Online. Me këtë rast ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se procesi i rishikimit të teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe matematikës në arsimin e obligueshëm nga MAShTI është dëshmi drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit parashkollor.
Sipas saj, tekstet shkollore ndër vite janë përcjellë me sfida dhe probleme të shumta, përfshirë aspektin përmbajtjesor dhe atë teknik. Prandaj edhe kanë ndërmarrë hapa duke e marrë për bazë që cilësia e teksteve shkollor ka impakt të drejtpërdrejtë në formësimin e aspekteve madhore në jetën e një individi.
Në këtë proces ajo tha se janë përfshirë ekspertë arsimorë dhe mësimdhënës nga shkollat në mënyrë që të arrihen rezultatet konkretet. Madje tha se mënyra më e mirë për përmirësimin e cilësisë është duke u rritur përfshirjen me bazë të gjerë e të gjithë komunitetit arsimor në të gjitha proceset relevante.
Nga të gjeturat tha ajo është konstatuar se tekstet shkollore nuk janë shumë të dëshirueshme për lexim nga ana e nxënësve, madje shumë tekstet janë të gjata dhe shpeshherë pa mesazh. Sipas saj, këto tekste duhet të përmbajnë vlera të kulturës duke sjell edhe mesazh për historinë tonë.
“Përmirësimi i cilësisë në arsim është prioritet i Qeverisë së Kosovës. Rishikimi i teksteve të lëndës së gjuhës dhe matematikës nga klasa 1-9 është iniciuar nga MAShTI dhe tregon përkushtimin për cilësinë e rezultateve të nxënësve. Tekstet shkollore vazhdojnë të jenë burim kryesor për mësim dhe i përgatisin nxënësit për një jetë të rëndësishme, ky raport për 38 tekste ka synuar të bëjë rekomandime për cilësi sepse çështja e teksteve shkollore ka qenë me interes edhe gjatë gjithë viteve të tjera, por kanë munguar disa analiza të hollësishme që tregojnë për gjerat që duhet ndryshuar”.
“Ne kemi vendosur të përdorim një mekanizëm vlerësimi të bazuar në kritere gjithëpërfshirëse që të mund të bëjmë përmirësime në cilësi dhe është bërë rritja e kapaciteteve të teksteve shkollore pas përcaktimit të kritereve të metodologjisë. Faza e parë ka synuar tekstet e gjuhës shqipe ku kemi marr në rishikim 21 tekste nga lënda e gjuhës shqipe dhe nga matematika 17 tekste, për këto tekste kemi krijuar raporte të detajuara”.
“Disa nga sugjerimet kanë të bëjnë me kontekstet sepse shumica e teksteve shkollore janë teorike dhe rekomandimet do të ndihmojnë edhe zhvillimin e mendimit kritik ndërsa analiza ka treguar se tekstet shkollore nuk janë shumë të dëshirueshme për lexim nga ana e nxënësve dhe të mësuarit përmendësh, shumë nga tekstet janë tekste të gjata me jomjaftueshëm ilustrime dhe shpeshherë pa mesazh sepse këto tekste duhet të përmbajnë vlera të kulturës së Kosovës duke sjell edhe mesazh për historinë tonë”.
Ajo ka falënderuar Bashkimin Evropian për ndihëm, gjithashtu edhe zyrtarët e DKA-ve, duke shtuar se edhe përkundër sfidave kanë arritur që me punë ekipore të arrihen qëllimet drejt rritjes së cilësisë, raporton EO.
Alessandro Bianciard, shef për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, tha se bashkë me ekspertët e përfshirë në projekt kanë punuar në vazhdimësi në përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore.
“Përkushtimi për rishikimin e teksteve nga mësimdhënësit dhe ekspertet për tekstet shkollore ka qenë me rëndësi nga Zyra e Bashkimit Evropian e cila ka qenë në krye të rishikimit të tekste edhe pse e kemi ditur që ky proces do kërkojë resurse dhe punë të madhe kemi filluar këtë proces, dhe faza tjetër do jetë në vitin tjetër dhe do ketë një rëndësi të madhe për gjithë nxënësit”.
“… pyetja sot është se si mund të mbështesim në mënyrë adekuate institucionet në këtë drejtim për të përmbushur obligimin e përbashkët dhe ne së bashku duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkët dhe efikase me drejtorët e shkollave komunat dhe të gjithë do të përfshihen në ketë aktivitet, në përmirësimi të cilësisë së teksteve shkollore”.
Prezantimin e gjetjeve u bë nga ekspertët Florence Mihaela Singer, FadiLatifi dhe Osman Buleshkaj. Mihaela Singer, tha se qëllimi kryesor i gjetjeve është përmirësimi i cilësisë së teksteve shkollore.
“Rrugëtimi për rishikimin e teksteve aktuale po vjen në një fazë finale për momentin dhe gjetjet kryesore tregojnë që kemi filluar që nga ide që cilësia e teksteve shkollore ka të bëjë me mësimnxënien, dhe ka pasur një proces për rishikimin e teksteve që e ka fuqizuar edhe legjislacioni në fuqi, procesi i rishikimit ka qenë i dyanshëm dhe jemi fokusuar në objektiva me tekste shkollore dhe ofrimin e rekomandimeve për ndërhyrje të ndryshme në tekstet shkollore”.
“Faza e parë është bërë për tekstet shkollore në lëndën e gjuhës shqipe dhe matematikës nga klasa e 1-9, dhe arsyeja që kemi zgjedhur këto dy lëndë është që nxënësit kanë treguar rezultate të dobëta edhe në testin PISA, duke pasur parasysh që ka pasur debat për rezultatet e PISA 2022 sot kam sjell një diagram që tregon që nxënësit e Kosovës kanë pasur rezultat nën nivel në matematikë dhe në gjuhën shqipe sepse ne lexim 83% kanë pasur bazë nën nivelin bazë krahasuar me shtetet e OSCD dhe këto rezultate na kanë bërë që të mendojmë se çfarë të behet dhe të gjejmë zgjidhje”.
Eksperti Fadil Latifi, tha se tekstet nuk plotësojnë kushtet, prandaj edhe duhet të bëhen ndryshime patjetër.
“Kemi parë që tekstet tona nuk janë aq të mira dhe mjaftueshme për nxënësit tanë, nga të gjeturat tona kemi parë që edhe në lëndën e gjuhës shqipe dhe matematikës ka probleme dhe rekomandimet tona për rritje të cilësisë”.
Osman Buleshkaj, tha se duhet që të ketë çdo vit raporte te detajuar për kërkesat dhe ankesat e nxënësve dhe mësimdhënësve.
“Ne nuk kemi një mekanizëm të qëndrueshëm dhe funskional që do të na ofronte të dhëna për cilësinë e teksteve, dhe ky proces duhej të planifikohej që të ndodhte në faza të ndryshme gjatë vitit dhe ne ende sot nuk kemi një informatë të tillë pra na mungon. Ka nevojë për ngritje të kapaciteteve në nivel shkollave, por edhe në komuna të Kosovës dhe ka nevoje për ekip që bëjnë raporte të detajuara madje çdo gjysmë vjetor dhe pastaj të komunikohet me shtëpitë botuese që këto tekste të përmirësohet dhe në këtë mënyrë cilësia do rritej”.