Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndryshimin e “marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë për parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital” me Qeverinë e Shqipërisë, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se edhe pse ekziston një marrëveshje e tillë gjatë zbatimit ka pasur ngecje, prandaj edhe ka kërkuar rishikimin e saj, në mënyrë që kur të mbahet mbledhje e dy qeverive ndryshimet të jenë gati.
“MF-ja ka marrë me shumë seriozitet që të shtyjë përpara nënshkrimin e marrëveshjeve për eliminimin e tatimit të dyfishtë, me të gjitha vendet që Kosova ka shkëmbime tregtare si një vegël e domosdoshme për zhvillim ekonomik e posaçërisht tërheqjen e investimeve të huaja dhe stimulimin e bizneseve që kanë rezidencë në Kosovë ose zgjerohen jashtë vendit”.
“Një draft marrëveshje e kemi gati. Ekipet do të fillojnë negocimin në terma më substancial. Andaj kërkoj nga ju që të aprovohet kjo nismë në mënyrë që të kemi një marrëveshje e cila do të jetë plotësisht e zbatueshme”.
Ajo ka bërë të ditur se deri më tani janë nënshkruar 16 marrëveshje me shtet të ndryshme sa i përket eliminimit të tatimit të dyfishtë.
“Ndër to kemi edhe një marrëveshje të vitit 2014 me Shqipërinë, mirëpo gjatë zbatimit është parë se ka disa pengesa dhe disa nene janë me të vërtetë pengesë për zbatimin e tyre”.
“Administratat e të dy vendeve kanë iniciuar që kjo marrëveshje duhet të plotësohet dhe të ndryshohet në mënyrë që të inkorporohen praktika më të mira të marrëveshjeve për eliminim të tatimit të dyfishtë”.