Korporata Energjetike e Kosovës ka rishpallur më 1 qershor konkursinpër pozitat Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës.
Për pozitën e Drejtorit Menaxhues kërkohet që kandidati të ketë së paku 5 vite përvojë në nivel të menaxhmentit të lartë. Po ashtu kërkohet që të ketë diplomë universitare në lëminë e administrimit të biznesit, ekonomisë, financave, inxhinierisë apo juridik.
“Preferohen individët me përvojë pune në ndërmarrjet tjera me madhësi dhe kompleksitet të lartë”, thuhet në konkursin e rishpallur për Drejtor Menaxhues.
Për herë të parë KEK-u ka shpallur konkurs për Drejtor Menaxhues me 5 prill.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) përmes një opinioni dërguar Bordit Drejtues (BD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka kërkuar që të rishqyrtohet vendimi për konkursin e shpallur me 4 dhe 5 prill për Drejtor Menaxhues, Zyrtar të auditimit të brendshëm, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar të KEK.
Ato kanë kërkuar që fillimisht t’u ndërpritet kontrata personave që janë nëpër këto pozita, e pastaj të shpallet konkursi.
“BD të gjitha veprimet dhe vendimet duhet bazuar në rregullimet ligjore të përcaktuara në legjislacionin që rregullon veprimtarin edhe funksionimin e NP-ve, duke pasur kujdes që të emëruarve paraprakisht u pushojnë të drejtat dhe detyrat nga puna dhe marrëdhënia e punës sipas vlerësimit dhe vendi të jetë i lirë e pastaj të veprohet sipas kërkesave për emërimin dhe zgjedhjen e zyrtarëve të lartë të rregulluar në ligjin për NP”, thuhet në opinionin drejtuar Bordit të KEK-ut nga MZhE.
Konkursi i shpallur me 6 prill 2018 për pozitat, Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës është anuluar me vendim të Bordit të Drejtorëve të KEK-ut me 23 maj 2018.
Në mbledhjen e Bordit Drejtues të KEK-ut të mbajtur me 31 maj, Drejtori Menaxhues i deritanishëm i KEK, Arben Gjukaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.
Menjëherë pas dorëheqjes së Gjukajt, Njazi Thaçi, kushëriri i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është emëruar u.d. Drejtor Menaxhues në KEK.
Konkursi për pozitat e shpallura në KEK është i hapur deri më 2 korrik 2018.