“Risi” e vetme në Kuvend: po ndërron numri i dështimeve!

Prishtinë | 17 Qer 2025 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Dështoi edhe vazhdimi i 33-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Filloi njëjtë sikurse herët e kaluara: tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kryesuesi e seancës konstituive Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

Në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë, 51 votuan për, 1 kundër dhe asnjë abstenim.

Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 19 qershor, në orën 10:00.

Haxhiu: Roli i ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, i domosdoshëm

E propozuara nga Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas dështimit të 33-të të seancës konstituive të Kuvendit, komentoi deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump për rikthimin në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu theksoi rëndësinë e angazhimit amerikan në këtë proces.

“Roli i Shteteve të Bashkuara ka qenë dhe mbetet i mirëpritur nga Kosova.
Ata janë partnerë strategjikë, prandaj roli i tyre është i domosdoshëm”, tha Haxhiu.

Krasniqi: Trump e sheh Kosovën mes temave në mandatin e tij, Kurti bllokon me kryeneçësi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e vlerësoi tejet të rëndësishme qasjen e presidentit amerikan, Donald Trump i cili, sipas tij, në mes të krizave globale me konflikte zgjodhi ta përmend Kosovën, raporton Ekonomia Online.

”Është i mirëseardhur fakti që presidenti Trump, për herë të parë në shumë e shumë kohë, po e përmend Kosovën. Dhe përkundër faktit që prioritetet e diplomacisë amerikane tashmë dihen që ndërlidhen me konfliktet kryesore në vend, duke përfshirë luftën mes Izraelit dhe Iranit, por dhe luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe vatra të tjera të krizës.

Unë e shoh pozitivisht faktin që Trump e përmend edhe Kosovën dhe e sheh si një nga temat që do të merret gjatë mandatit të tij. Por para se të mendojmë për pozicionin e SHBA-së, neve na takon të mendojmë ku është Kosova sot dhe bllokada, e cila po vazhdon për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje është e dëmshme edhe për pozicionin e Kosovës, sepse nëse në një moment të shpejtë që nuk mund ta dimë se kur mund të jetë ai moment ka një kërkesë nga SHBA-të për të pasur një qasje më proaktive në raport me marrëveshjen më potenciale mes Kosovës dhe Serbisë dhe nëse ne nuk kemi institucionet e konsoliduara, kjo gjithsesi që dëmton pozicionin e Kosovës”, tha Krasniqi.

Gashi: Kosova s’e ka luksin të merret me çmenduri dhe ego personale të pushtetit

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se Kosova duhet të përgatitet për çdo skenar të mundshëm, duke theksuar se vendi nuk e ka luksin të merret me çmenduri dhe ego personale të pushtetit në një kohë kur dinamikat globale po ndryshojnë me shpejtësi, raporton Ekonomia Online.

“Kosova duhet të jetë e gatshme për çdo skenar, bota po ndryshon, dinamika janë shumë të mëdha, nuk e ka luksin të merret me çmenduri dhe ego personale të pushtetit. Është koha që të Kosova të ketë institucionet e veta, mbi të gjitha institucione të përgjegjshme. Nuk do të thosha për dialogun, por për gatishmërinë për t’u përballur me çfarëdo lloj situate të mundshme. Bota po ndryshon dhe ne po merremi me çmenduri dhe egon personale që është e papranueshme për interesin e Kosovës dhe qytetarëve. Ne po vijmë kot çdo 48 orë, liderët e partive duhen të jenë të vetëdijshëm se çfarë po ndodh dhe se përgjegjësinë ata e kanë për Kosovën dhe jo egot personale se kush po bëhet kryeministër e kush nuk po bëhet, se kush kujt po i thotë hajvan i pari e i dyti, këto janë lojëra të papjekura politikisht, këtu e kam kryesisht fjalën për Vetëvendosjen”, tha ai.

Limaj: Çdo shmangie për institucionet mund të sjell edhe dëme gjeostrategjike

Kryetari i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha që subjekti që ai përfaqëson, ndihet më i përgjegjshëm, për shkak se ka ofruar një opsion, duke bërë thirrje për marrëveshje politike, raporton Ekonomia Online.

”Kjo është skandaloze, çka po ndodhë. Ne nga fillimi kemi ftuar për marrëveshje politike. Kjo është një lloj situate që neve na bënë të ndjehemi të përgjegjshëm, sepse kemi dhënë një opsion. Çdo gjë tjetër çfarë po ndodhë këtu, është skandaloze”.
Limaj u shpreh se drejtuesit politikë në vend duhet të tregohen më konstruktivë, sepse bota po përjeton ndryshim drastik dhe çdo shmangie mund t’i kushtojë Kosovës.

”Nëse lejohet kjo që çdo dy muaj të shkohet në zgjedhje, atëherë krejt çka mund të them është se nuk e meritoni besimin e qytetarëve të Kosovës”.

Rashiq: Administrata amerikane ka pasur gjithmonë rol të veçantë për Kosovën

Ministri në detyrë, Nenad Rashiq, theksoi rëndësinë që ka pasur gjithmonë administrata amerikane në zhvillimet politike në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

“Administrata amerikane çdo herë ka pasur një rol të veçantë për Kosovë dhe nëse ka dhe unë kam qenë prezent në vitin 2011 kur është emëruar dhe përzgjedhur dhe votuar Jahjaga si presidente. Kështu që roli i Amerikës është me rëndësi, por nuk jam i sigurt që në këto momente nga një periudhë nga 2011 deri sot ajo qasja e administratës amerikane është ndryshuar sa e shoh unë. Nuk jam i sigurt se a do të hyjë në aventurën politike si në atë kohë. Në ato dokumente kur është votuar Jahjaga ka qenë dokument që ambasadori në atë kohë ka qenë nënshkrues si dëshmitar. Nga eksperienca ime që kam në politikë kurrë nuk ka ndodhur më parë. Na duhet një stimulim nga ana e administratës amerikane, por ne jemi ata që në fund të fundit duhet të jemi më të vendosur”, tha Rashiq.

Të ngjashme