Rita Ora paralajmëron albumin e katërt, 2026-a pritet të jetë viti i saj

Prishtinë | 08 Jan 2026 | 19:36 | Nga Ekonomia Online

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka paralajmëruar publikimin e albumit të saj të katërt në karrierë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka ndarë me ndjekësit një fletë ku shkruhej thjesht “Album 4”, duke lënë të kuptohet se projekti i ri muzikor është në përfundim dhe pritet të publikohet së shpejti. Edhe pse nuk ka zbuluar ende titullin, datën e publikimit apo detaje të tjera, ky postim ka mjaftuar për të ngjallur entuziazëm te fansat e saj.

Rita Ora ka lënë të kuptohet gjithashtu se viti 2026 pritet të jetë një vit i rëndësishëm dhe i suksesshëm për të, duke sugjeruar se albumi mund të jetë një nga projektet kryesore të saj gjatë këtij viti.

Aktualisht, këngëtarja është e angazhuar në dhjetëra projekte të ndryshme, jo vetëm në muzikë, por edhe në botën e medias, televizionit dhe kinemasë, duke konfirmuar statusin e saj si një nga figurat më të gjithanshme të industrisë së argëtimit.

Gjatë karrierës së saj, Rita Ora ka publikuar tre albume shumë të suksesshme:
“Ora” (2012), “Phoenix” (2018) dhe “You & I” (2023), të cilat kanë përfshirë hite ndërkombëtare dhe bashkëpunime me artistë të njohur botërorë.

Fansat tashmë po presin me padurim të mësojnë më shumë rreth “Album 4”, i cili pritet të shënojë një kapitull të ri në rrugëtimin muzikor të Rita Orës./KultPlus.com

Të ngjashme