Janë varrosur eshtrat e nëntë martirëve të masakrës së Rezallës, të cilët janë gjetur dhe zhvarrosur nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë.
Ceremonia e rivarrimit u mbajt në Kompleksin e varrezave të martirëve në Rezallë.
Në këtë ceremoni të rivarrimit përveç familjarëve kanë marrë pjesë edhe krerët shtetërorë dhe komunal, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Skenderaj, Bekim Jashari dhe Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, e cilësoi si njëra ndër masakrat më të pamëshirshme të kryer nga policia dhe ushtria serbe.
Sipas Jasharit, këto masakra dhe këto arkivole janë arkiva e cila dëshmon vazhdimisht se kush ishin vrasësit.
“Këta u vranë në njërën nga masakrat më të pamëshirshmet nga policia dhe ushtria serbe. Për të qenë dëshmitar disa ditë më vonë bënë krimin e dytë, lanë familjarët në ankth tash e disa vite. Këto masakra, këto arkivole janë arkiva, e cila dëshmon vazhdimisht se kush ishin vrasësit. Fatkeqësisht edhe pas kaq shumë vitesh kriminelët e kësaj masakre nuk kanë dalë para drejtësisë ata ende enden të lirë pa u ndëshkuar”, tha Jashari.
Në fund të fjalimit kryetari Jashari ndau mirënjohje për mjekësin ligjore.
Kujtojmë se më 30 shtator kanë arritur në Kosovë eshtrat e viktimave të masakrës së Rezallës.