Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, sot po rivendos platonë e Kalasë së Vushtrrisë, pas demolimit që kishte ndodhur ditë më parë.
Në një postim në Facebook, Ardiana Qorraj, u.d, drejtoresh e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka thënë se rivendosja e platosë po bëhet në zbatim të vendimit të ish u.d. drejtorit, Agim Gërguri, i cili kishte marrë vendim për kthimin e platosë në gjendjen e mëparshme, si dhe ekzekutimi i punimeve po bëhet nga punëtorët e angazhuar nga IKMM-ja.
“Kalaja e Vushtrrisë ka qenë temë e diskutimi, ku ka marrë vëmendje dhe përfshirje të institucioneve qendrore e lokale, shoqërisë civile, medieve etj., për dhënien në shfrytëzim për restorant. Debati që është krijuar ka ngjallur polemika të panevojshme e lajthitje të opinionit të gjerë për shkak të mos koordinimit të duhur në mes të institucioneve qendrore dhe lokale”, ka shkruar Ardiana Qorraj.
Ajo ka thënë se Kalasë së Vushtrrisë i nevojitet ruajtja e saj dhe mirëmbajtja, si dhe në një afat sa më të shkurtë hartimi i planit të menaxhimit. Trashëgimia kulturore duhet të jetë në funksion të qytetarëve dhe jo politikave ditore që mund të çojnë në mos koordinim të duhur të institucional.