Pamjet e lojtarëve që rregullisht hedhin topin në zonën e rreptësisë nga rivëniet në botërorin “Rusia 2018” nuk janë rastësi.
Ekipet gjithnjë e më shumë po e kuptojnë potencialin e rivënies me duar për të krijuar raste shënimi gjatë këtij turneu. Lojtarët me duar dhe teknikë të fortë, janë më të kërkuarit për rivënie të topit, pasi nga ta kërkohet që të gjuajnë topin thellë në zonë, sikur të ishte ndonjë korner.
Goli i tretë i Suedisë në fitoren e Grupit F ndaj Meksikës (3:0) ishte një shembull i përkryer, pasi lojtari i krahut Viktor Claesson e hodhi topin nga rivënia në zonën e penalltisë meksikane përpara se sulmuesi Isaac Kiesse-Thelin ta prekë dhe të detyrojë mbrojtësin kundërshtarë Edson Alvarez të shënojë autogol për rezultatin përfundimtar.
Trajneri specialist nga Danimarka, Thomas Groennemark, nuk është i befasuar që rivëniet e gjata janë përqafuar si armë e fortë sulmuese nga përfaqësueset në botërorin “Rusia 2018”. Ai ka shpenzuar me shumë se një dekadë duke mësuar lojtarët nga e gjithë bota se si ta përdorin rivënien në mënyrë sa më efikase.