Legjenda e futbollit italian Gianni Rivera ka kompletuar kurset për trajner në moshën 76-vjeçare, shkruajnë mediumet italiane.
Rivera ka luajtur më tepër se 600 ndeshje për Milanin nga viti 1960 deri në vitin 1979, duke fituar tri herë titullin e Italisë, dy herë Kupën e Evropës dhe tri herë Kupën e Fituesve të Kupave, e po ashtu ishte pjesë e përfaqësueses së Italisë që fitoi Evropianin 1968.
Ai u bë politikan i partive të krahut të majtë pas pensionimit, para se të emërohej president i sektorit teknik te Federata e Futbollit të Italisë.
Dy muaj, para se të mbushë 77 vjet, Rivera, ka marrë licencat e trajnerit.
“Jam i gatshëm të futi në praktikë idetë e mia të futbollit ofensiv. Kur luaja, kurrë nuk shikoja tjerët. Kam idetë e mia të futbollit ofensiv”, ka thënë Rivera. “Së fundi kam marrë licencat e trajnerit dhe mund të drejtojë një skuadër tash. Në fakt, jam aty nëse i duhem Milanit”.