Rizbulo botën e animacionit përmes Anibar

Prishtinë | 25 Kor 2016 | 14:21 | Nga

Festivali i filmit të animuar Anibar shpall programin e plotë për edicionin e shtatë që mbahet në Pejë prej datave 15 deri më 21 gusht. Këtë vit do të trajtohet fenomeni i ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike duke projektuar animacione që interpretojnë ndërveprimin njerëzor me këtë fenomen global.

“Sot, njeriu vazhdon të ngarkohet nga informacioni, mërzia, hutohet teksa uji e kaplon habitatin e tij si pasojë e veprimeve ose mungesës së veprimeve të njeriut ndaj mjedisit”, kështu e kanë interpretuar përmes animacionit edhe konceptin ideatorët Jeanne Boukraa dhe Georges Legonidec.

Boukraa, që është një nga fitueset e edicionit të kaluar në ANIBAR, pajtohet që teknologjia është e nevojshme për zhvillimin e njeriut, mirëpo ajo duhet të zhvillohet konform mjedisit dhe jo kundër tij.

Stili i jetës së njeriut përgjatë shekullit të fundit ka ndryshuar shumë, ndërsa promovimi i një jetese më të përgjegjshme mund të krijojë rezultate pozitive në shoqëritë e sotme.

Link nga video teater: https://www.youtube.com/watch?v=GK2UZQIT2C8

Në këtë edicion filmat e përzgjedhur do të garojnë në kategoritë: Ndërkombëtare; Studentë; Ballkanik; Ambient; Videoklipet e animuara muzikore, Panoramat botërore; si dhe Kids & Teen. Përveç çmimeve që ndahen për këto kategori, këtë vit do të ndahet edhe çmimi për kauzën më të mirë e trajtuar nga një film dhe çmimi i audiencës. Në total janë 270 filma të shkurtë dhe 3 filma të gjatë të ndarë në 42 programe. Ata do të projektohen në katër kinema, dy të mbyllura dhe dy në ambient të hapur.

Animacionet do të vlerësohen nga një juri e përbërë nga animatorë, producentë, e drejtorë të festivaleve kryesore të animacionit në Evropë.

Programi interaktiv i plotë i filmave është i publikuar në www.anibar.com

Në lidhje me temën e festivalit, një program special i kuruar nga Jiri Nedela i quajtur “Global Warming in Animation” do të shfaq filma që trajtojnë temën e ndryshimeve klimatike përmes animacionit. Programi përmban një përzgjedhje të balancuar në mes të filmave edukativ, dokumentarë e artistik, të gjithë me qëllim të paraqitjes sa më reale të problemit të ngrohjes globale.

Programet tjera speciale plotësojnë spektrin e gjerë krijues dhe me shumë rëndësi ku animacioni gjen vend, siç është programi ‘Hyrje në videoklipe të animuara muzikore’ i kuruar nga Tomek Ducki.

Ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar mes ANIBAR dhe Non Stop Animation Film Fest (Spanjë) / Bogoshorts Short Film Fest (Kolumbi) kanë rezultuar në programin ‘Fokus në Spanjë dhe Kolumbi’, që përmban disa programe të filmave dhe një seri prezantimesh mbi industrinë e animacionit në këto vende dhe mundësinë e përfitimit të përvojave nga këto shembuj. Programet “Animacioni Spanjoll dhe Katalunas” dhe “Animacioni Kolumbian” do të shfaqen si pjesë e këtij bashkëpunimi.

New Talents – Visegrad Forum është përzgjedhja e filmave të krijuar nga regjisorët e rinj të shteteve të Vishegradit, me qëllim të promovimit të punës së tyre ndërkombëtarisht në festivale me audiencë sa më të gjerë. Shfaqja e këtyre filmave është krahas qëllimit të Anibarit për të promovuar studentët animator lokal, duke i bërë ata pjesë integrale të festivalit.

anibar1

Studentë kosovar të filmit, të drejtuar nga një profesor i animacionit, për herë të dytë me radhë do të vlerësojnë kategorinë e filmave të studentëve. Me këtë juri, Anibar vazhdon të promovojë fuqizimin e studentëve dhe të shtyjë përpara integrimin e studentëve në festivale të filmit.

Këtë edicion festivali Anibar do të sjellë aktivitete tjera krahas projektimit të filmave të animuar – një seri e prezantimeve dhe masterklaseve do të formojnë shtyllat kyçe të programit.

“Si të jetojmë një jetë kreative të animuar” është një nga prezantimet më speciale për jetën e Ward Kimball, një ndër animatorët me më së shumti ndikim në botën e filmit. Krijimtarinë e Kimball do e tregojë historiani amerikan Amid Amidi, i cili do të ilustrojë rezistencën e animatorit për të mbetur origjinal pavarësisht ndikimit të kompanisë Walt Disney.

Celia Bullwinkel me prezentimin ‘Operacioni Viral: Si të promovoni filmin tuaj online’ – do të tregoj se si filmi i parë i saj ”idewalk” u luajt në 25 festivale dhe u shikua mbi 5 milion herë online.

Producenti nga Spanja Toni Marin Villa do të mbajë 3 masterklasa të cilat do të flasin mbi industrinë e animacionit në Spanjë, mbi bashkë-produksionet, dhe mbi filmin e tij “Wrinkles” të shndërruar nga një libër stripi në film për ekranin e madh.

Segmenti ‘Meet the Filmmakers’ do të mbahet çdo ditë ku regjisorët e filmave të shfaqur do të bisedojnë me publikun.

Edukimi mbi animacionin këtë vit do të realizohet me anë të pesë punëtorive. Partnerët tradicional ‘Ottomani’ nga Italia do të mbajnë 2 punëtori për fëmijë deri në moshat 18 vjec, ndërsa 2 punëtoritë e tjera do të jenë të fokusuara në animatorët kosovar me qëllim të zhvillimit profesional të tyre.

Ndërsa punëtoria e pestë do të fokusohet te zhvillimi i teknikës së vizatimit me qymyr dhe përdorimin e qymyrit në animacion. Njëra nga punëtoritë e udhëhequr nga Toni Marin Villa – producent spanjoll, ka për qëllim t’i ndihmojë filmbërësit kosovar të cilët kanë ngecur në përfundimin e filmave të tyre të animuar. Perkrahje teknike, këshilla profesionale, përmirësime të aftësive teknike, dhe ndihmesë gjenerale në prodhim dhe përfundim te filmit.

Pjesëmarrësit e festivalit do të argëtohet me programin më të pasur deri më tani nga Anibar After Parties. Me formatin një bend dhe një DJ, parku Karagaq do të mbushet çdo natë me tinguj të muzikës së përzgjedhur e që do të jehojnë deri te gryka e Rugovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme