Rizvanolli: Dy kompani amerikane garojnë për ndërtimin e baterive 340 MWh në Kosovë

Prishtinë | 01 Tet 2026 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Dy kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka njoftuar se tashmë do të nisë procesi i vlerësimit të ofertave, me synim që ndërtimi të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.

Sipas Rizvanollit, sistemi i baterive do të ketë një kapacitet prej 340 MWh dhe do të shtrihet në Istog dhe Ferizaj, transmeton IndeksOnline.

“Po i afrohemi realizimit të një prej investimeve më të mëdha në sektorin e energjisë në dekadat e fundit”, ka deklaruar Rizvanolli.

Projekti është pjesë e Programit Kompakt, në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, i cili bashkëfinancohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe Qeveria e Kosovës.

Ministrja ka falënderuar partnerët amerikanë, MCC-në dhe ekipin e MCA-Kosovës për angazhimin në realizimin e projektit, duke e lidhur atë me forcimin e sigurisë energjetike të vendit.

Të ngjashme