Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se krahas subvencionimit të tarifave të energjisë, njëjtë kanë bërë edhe me qytetarët të cilët kanë kursyer energjinë elektrike. Nga ky subvencionim sipas saj kanë përfituar më shumë se 200 mijë familje, raporton Ekonomia Online.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët, Rizvanolli ka përmendur subvencionimin e pajisjeve efiçente, me ç’rast tha se kanë përfituar 30 mijë familje.
“Vitet e fundit kanë qenë sfiduese për Kosovën dhe tërë Evropën. E përballuam me sukses në mënyrën më të mirë të mundshme brenda kushteve objektive të Kosovës më të gjithë sfidat e sektorit dhe kapacitetet e stërvjetëruara gjeneruese. Vitin e kaluar përveç subvencionimit të tarifave kemi subvencionuar edhe qytetarët qe kanë kursyer energji, subvencionim që kanë përfituar mbi 200 mijë familje”, u shpreh ajo.
“Gjithashtu subvencionuam edhe blerjet e pajisjeve të tjera efiçente elektrike shtëpiake. Rreth 30 mijë familje në total, familje jo individ do të preken nga ku subvencion. Efekti i kësaj skeme është i prekshëm dhe do të jetë edhe vitet e tjera që vinë pas tij”.