Rod Stewart ishte bashkuar me Fushatën për Çarmatim Bërthamor (CND – Campaign for Nuclear Disarmament) vetëm për t’u lidhur me femra.
Duke e treguar mbështetjen e tij për CND gjatë viteve 1960, muzikanti i “Maggie May” iu bashkua Marshimeve Aldermaston në fundjavat e Pashkëve në Angli dhe u arrestua në këto protesta, por në një intervistë të re për BBC Reel Stories, 74-vjeçari e pranoi se ai e kishte një motiv të fshehtë për të bërë fushatë kundër raketave bërthamore dhe luftës, shkruan KOHA Ditore.
“Të gjithë shkonim në marshimet e CND”, tha ai. “Unë e bëja për të bërë seks. Nuk mërzitesha për luftën fare.”
Stewart vazhdoi të reflektojë për vitet e tij të hershme dhe e pranoi se është i shokuar që ishte aq i suksesshëm me femrat, sepse higjiena e tij personale nuk ishte aq e mirë.
“Ishte thjesht rebelim, kjo ishte e gjitha”, këmbënguli ai. “Megjithatë, duhej të mbanit erë të keqe. Duhej të vishnit pantallona prej kadifeje për muaj të tërë dhe kjo vërtet kundërmonte. Të mos i ndërroni mbathjet. Ishte e neveritshme”.
Megjithatë Rod, i cili tani është i martuar me gruan e tretë Penny Lancaster, 48 vjeç, shtoi se pavarësisht se kishte të meta, flokët e tij ishin gjithnjë në formë.