Presidenti i Iranit, Hassan Rohani është zotuar se Teherani nuk do të heqë dorë nga raketat e tij, pavarësisht presionit të Shteteve të Bashkuara.
Rohani i bëri këto komente gjatë një fjalimi për të shënuar fillimin e luftës mes Iranit dhe Irakut që është zhvilluar në vitet 1980-88.
“Irani nuk do të braktisë armët e tij mbrojtëse… përfshirë edhe raketat që e kanë zemëruar Amerikën”, tha Rohani.
Irani ka raketa balistike që mund të arrijnë në distancë deri më 3,500 kilometra – distancë kjo e mjaftueshme për të arritur në bazat e Izraelit dhe SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Programi i raketave të Iranit ka qenë njëri prej arsyeve të tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 në mes të Iranit dhe fuqive botërore. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Teherani ishte zotuar që të frenonte programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Në fjalimin e tij, Rohani po ashtu tha se presidenti amerikan, Donald Trump ka dështuar në përplasjen e tij me Irani, siç kishte dështuar edhe Saddam Husseini, duke iu referuar luftës së viteve ’80 mes dy shteteve të Lindjes së Mesme.
“E njëjta gjë do të ndodhë me Trumpin. Amerika do të ketë fatin e njëjtë sikurse Saddam Hussein”, tha Rohani.