Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet ta përdorë potencialin e saj për energji të ripërtritshme. Rohde ka thënë se Gjermania do ta mbështesë Kosovën në ndërtimin e një parku solar.
“Kosova duhet të përdorë potencialin për energji të ripërtritshme. Do të ndihmojmë luftimin e krizës klimatike dhe arritjen e sigurisë energjetike. Gjermania do ta mbështesë Kosovën në ndërtimin e një parku solar 100 MW. Jo thëngjilli, por era dhe dielli duhet të jenë e ardhmja e Kosovës”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Ministrja e Gjermanisë për Evropën dhe Klimën, Anna Luehrmann, ka vizituar Kosovën. Ajo të diele tha se Gjermania po mundohet që të gjejë një alternativë për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për tejkalim të krizës energjetike gjatë këtij dimri. Por, sipas saj, kjo do të ndodhë duke u mbështetur në politikat për energjinë e gjelbër dhe zvogëlimin e konsumit të energjisë elektrike.