Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, të premten në një debat të organizuar në Prishtinë, ka folur për Procesin e Berlinit dhe një dekadë punë në këtë proces për afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, raporton Ekonomia Online.
Ai ka shtuar se Procesi i Berlinit mbetet kyç për integrimin e Kosovës në BE përmes bashkëpunimit rajonal.
Rohde ka thënë se mbesin edhe shumë mundësi të tjera për t’u zhbllokuar, derisa thotë se indikatorët tregojnë se ende s’janë plotësuar të gjitha pritjet.
“Duke parë para në 10 vitet e Procesit të Berlinit: Është arritur shumë, por shumë mundësi mbeten për t’u zhbllokuar. Jo të gjithë treguesit i kanë përmbushur ende pritjet”.
“Procesi i Berlinit mbetet një mjet kyç që plotëson rrugën e integrimit në BE përmes bashkëpunimit rajonal”.
Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, tha se Procesi i Berlinit është forca shtytëse që rajoni të lidhet me njëri-tjetrin si dhe të integrohet më shumë me Bashkimin Evropian.
Ai tha se Kosova vazhdimisht është proaktive në kuadër të këtij mekanizmi rajonal të bashkëpunimit.
Nora Hasani, nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, tha se Kosova ka përfituar nga Procesi i Berlinit.