Një varkë me trembëdhjetë imigrantë dhe një tjetër me dy imigrantë janë ndaluar dhe janë shpëtuar nga roja bregdetare pranë brigjeve të qytetit Kent. Në këtë operacion u përfshinë anijet e shpëtimit dhe një helikopter i rojes bregdetare.
Besohet se personat që gjendeshin në varka nuk kishin veshur jelekë shpëtues. Përmes një deklarate, roja bregdetare ka thënë se ata janë të përkushtuar në shpëtimin e jetëve në det dhe pranë zonave bregdetare.
“Ne merremi me shpëtimin e jetës duke iu ndihmuar njerëzve që ndodhen në vështirësi dhe i kthejmë në tokë, duke i dorëzuar te shërbimet emergjente dhe autoritetet relevante”, thuhet në deklaratën e këtij institucioni.
Të shtunën e kaluar, një varkë me 16 imigrantë, në mesin e të cilëve ishin dy fëmijë, u ndalua nga autoritetet franceze sepse ishte nisur pa leje drejt Britanisë së Madhe. Përpjekje të këtilla janë shënuar edhe muajin e kaluar. Shumica e personave të ndaluar ishin nga Irani, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.