Me moton “Mund të ballafaqohemi me shumë sfida, por ne nuk duhet të mposhtemi”, Rrjeti i Grave në Arsimin e Lartë dhe Shkencë (RrGAShL) mbajti konferencën “Këmbëngulësia e Grave në Arsimin e Lartë dhe Shkencë”.
Fillimisht u shfaq një video mesazh nga Claudine Herman, kryetare e platformës Evropiane të Grave në Shkencë, raporton Ekonomia Online.
Drita Kadriu, nga Rrjeti i Grave në Arsimin e Lartë dhe Shkencë tha se askush më mirë se sa gratë nuk e ndien ndikimin arsimimit dhe ndikimin e Universitetit të Prishtinës që ka pasur në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe transformimin e shoqërisë, ku roli i gruas ka qenë i pazëvendësueshëm.
Ajo tha se bota ka nevojë për shkencë dhe shkenca ka nevojë për gra.
“Historia jonë lidhet ngushtë me zhvillimin e arsimit. Askush më mirë se sa gra nuk e ndjen ndikimin e arsimimit dhe ndikimin e Universitetit të Prishtinës që ka pasur në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe transformimin e shoqërisë ku roli i gruas ka qenë i pazëvendësueshëm. Bota ka nevojë për shkencë dhe shkenca ka nevojë për gra. Arsimimi dhe edukimi shkencor dhe akademik s’mund të injorohet për gjysmën tjetër te botës:, tha ajo.
Për përkrahjen e dhënë, Rrjeti i grave, ndau mirënjohjeje për rektorin e Universitetit të Prishtinës, ”Hasan Prishtina”, Marjan Dema.
Ndërsa, rektori i UP-së në fjalën e tij tha se do mundohet ta arsyetojë këtë mirënjohje. Sipas tij, UP-ja njeh shumë gra që kanë dhënë kontribute dhe të cilat janë pjesë e kthesave të shoqërie.
“UP-ja njeh shumë gra që kanë dhënë shumë kontribute dhe janë pjese e kthesave kulminante të kësaj shoqërie. Janë heroina. Sot në UP kemi pjesëmarrje të mirë edhe pse jo të dëshirueshme, por rast unikat është stafi administrativ, ku kemi mbi 60 për qind që janë vajza e gra. Nuk kemi bërë sa duhet për ju, mbetet në të ardhme të bëjmë me tepër se pari në UP pastaj tërë shoqëria. Gratë janë përballu me shumë sfida por kur nuk janë mposht kjo i ka ndihmuar edhe UP-ja të mbijetojë”, tha ai
Mirënjohje mori edhe Vlora Nushi, shefe e zyrës së UN Ëomen Kosovë.
Ajo tha se ndonëse interesimi i vajzave është më i madh për shkollim, ato diskriminohen gjatë karrierës së tyre.
“Sot në ditën ndërkombëtare të grave dhe vajzave në Shkence ndihem e privilegjuar të jem këtu me ju në një ngjarje kaq të rëndësishme. Edhe pse në aspektin e shkollimit edhe pse vajzat prijnë nga interesimi ato diskriminohen gjatë karrierës së tyre. Kemi në numër më të vogël të pozitave udhëheqëse në arsimin e lartë. Në vitin 2019 kishe më shumë vajza studente në UP dhe kolegje situata nuk është e njëjtë sa i përket të punësuarve në Universitet”.
“P.sh stafi akademik dhe administrativ në UP kishte 61 për qind burra, 39 për qind gra. Përqindje të ngjashme kemi edhe sa i përket stafit akademik dhe administrative në UP publike të Kosovës ku numri i grave është dyfish më i vogël sesa burrave”, tha ajo
“Edhe pse gratë përbëjnë 52 për qind të nr të përgjithshëm të kosovarëve me diplomë universitare krahas 47 për qind të burrave në punësim kemi 12 për qind të grave në punësim, 46 për qind të burrave në punësim”, tha ajo sipas të cilës këto statistika paraqesin një realitet të hidhur.
Mirënjohje për kontributin e dhënë mori edhe Zhulieta Sina Harasani, nga Rrejti Shqiptar i Grave në Shkencë, e cila theksoi se kurrë nuk është vonë njeriut t’i njihet kontributi i dhënë, raporton Ekonomia Online.
“Jam e emocionuar për këtë qe në ofrohet. Jam shumë mirënjohëse për mendimin për të më ofruar këtë mirënjohje”, tha ajo
“Në Rrjet ne ndihemi të lira për të dhënë mendimin tonë. Edhe ne ndihemi të barabarta me njëra tjetrën. Për mua është ambienti më i mirë më relaksues qe ndjej kur jam me zonjat e rrjetit të grave në shkencë”, tha ajo
RrGAShL është një nismë e themeluar me qëllim të avancimit të pozitës së grave në arsim, shkencë, dhe udhëheqje.