Është thënë shpesh se interneti dhe në përgjithësi dhe zhvillimet teknologjike e kanë shndërruar botën në një “fshat global”. Se falë këtyre arritjeve ndërlidhja e çdo këndi të planetit është bërë më e afërt se në secilën epokë tjetër të historisë. Kurse njerëzit asnjëherë tjetër nuk kanë pasur më shumë informacione dhe njohuri se tani. Mjafton një telefon i mençur, qasje në internet dhe thuajse çdo gjë që të nevojitet e ke me vete.
Mirëpo, a është situata kaq ideale sa duket në raport me njërën prej trashëgimeve më të njohura mendimit filozofik, atë iluminizmit?. A i ka kontribuar ky zhvillim edhe kësaj tradite, apo ka shënuar kthim mbrapa?
Siç dihet, ky projekt lidhet më rrëfimet e filozofisë moderne. Kurse në përgjithësi, siç pohojnë Alan Milchman dhe Alan Rosenberg, në punimin “Toward a Foucault-Heidegger Auseinandersetzung” ka kohë që këtë filozofi e ka karakterizuar një çarje e madhe. Në njërën anë ndërmjet Jurgen Haberemasit, i cili aspiron ta përmbyllë projektin e modernitetit duke u bazuar në konceptin e mendjes, dhe në anën tjetër me përfaqësuesit kryesorë Martin Heidegger dhe Michel Foucalt, që synojnë, madje sipas vetë Habermasit, ta shkatërrojnë këtë traditë, nëpërmjet “destruksionit të metafizikës” në rastin e parë dhe nëpërmjet “destruksionit të historiografisë” në rastin e Foucalt.
Por është interesant, se edhe pse të nxitur nga këto synime antagoniste si Foucalt ashtu edhe Habermasi, si pikënisje të refleksioneve të tyre filozofike e kanë mendimtarin e njohur gjerman Imanuel Kant dhe veçanërisht eseun e tij të njohur, “Ç’është Iluminizmi-Was ist Äufklarung”. Që dëshmon për rëndësinë që e ka mendimi i këtij filozofit mbi iluminizmin, si njëra prej traditave që mund të përdoret në çlirimin e njerëzve nëpërmjet përdorimit të “mendjes së tyre”.
Për Kantin, iluminizmi shënon daljen e njeriut nga papjekuria e tij, për cilën është vetë fajtor. Kjo gjendje është paaftësia e njeriut për ta përdorur mendjen e vet pa drejtimin e një njeriu tjetër. Ndërkohë, sipas këtij filozofi, është pikërisht përtacia se përse një pjesë e madhe e njerëzve, pasi natyra i ka shpallur prej kohësh të lirë nga drejtimi i huaj mbeten prapëseprapë me kënaqësi të papjekur gjatë tërë jetës dhe se përse bëhet kaq e lehtë për të tjerët që të hiqen si kujdestarët e tyre. Është kaq e rehatshme të jesh në këtë gjendje. “Kur unë” thotë Kanti “kam një libër që ka mend për mua. Kur kam një klerik që ka ndërgjegje për mua, kur kam një mjek që e gjykon edhe dieten për mua etj, epo atëherë unë s’kam nevojë që të mundohem edhe vetë. Unë s’e kam të domosdoshme që ta vë mendjen në punë, kur vetëm mund të paguajë, e të tjerët mund të marrin tashmë përsipër punë e mërzitshme për mua”.
Mbase ky përfundim mbetet ende relevant për të reflektuar edhe mbi raportet iluminizmit me zhvillimet informative teknologjike bashkëkohore. Prandaj, ka të drejtë Nithin Monteiro SJ, që në shkrimin “Enlightenment as an “already” and a “not yet” Project”, që ka ngritur shqetësimin se as mos sot, pikërisht prirja për ta kërkuar çdo gjë që na nevojitet në googel search është duke cenuar aftësinë tonë për të menduar. Pra a po mendojmë me pak nga kjo ngarendje drejt internetit? Pra në vend të ushtrimit të mendjes sonë, e ku e drejta e përdorimit të saj u arrit falë idealeve të iluminizmit kundër autoriteteve të së kaluarës si një kusht ky, për të dalur nga gjendja e papjekurisë, por që tani mund të braktisen këto arritje duke e përqafuar edhe një herë përtacinë e mendjes për shkak të varësisë sonë nga përdorimi i teknologjisë digjitale. Me një fjalë apo bëhen ato zëvendësim për mendjen tonë?
Një rrezik i tillë mbase tregon se iluminizmi ende mbetet një projekt i pa papërfunduar, pikërisht ashtu siç e definonte atë Kanti. Kurse thirrja e tij për përdorim të pavarur të mendjes, mbase është bërë imperativ i kohës, por se tani në raport edhe me rreziqe që Kanti nuk i kishte parashikuar.