Përveç Milanit që është super aktiv në merkaton veror, një tjetër ekip italian që është aktiv në merkato është Roma që me ardhjen e Monkit po shfaqet shume aktive këto ditë, pasi kryeqytetasit po udhëheqin bisedimet me yllin e Lester Sitit, algjerianin Riad Mahrez. Sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, vetë futbollisti është shfaqur i gatshëm për të pësuar një ulje të pagës, me synimin e vetëm që të transferohet tek verdhekuqtë.
Por nga ana tjetër Roma duhet të derdhë në arkën e anglezëve plot 30 milionë euro. Përveç algjerianit, në Angli ekipi kryeqytetas po kërkon edhe mbrojtësin e Mançester Sitit, Aleksandër Kolarov i cili vlerësohet me çmimin 10 milionë euro, por pengesa kryesore është paga e madhe që merr serbi në Angli dhe sipas mediave angleze ai ka kërkuar një pagë prej 4.5 milionë eurosh teksa më parë ka refuzuar një ofertë faraonike nga Turqia.