Cristiano Ronaldo u bë protagonist i një momenti të diskutueshëm pas humbjes 3-1 të Al Nassr, të vulosur nga penalltia e shënuar nga Ruben Neves në minutën e 92-të.
Menjëherë pas golit, ylli portugez u kthye nga kamera që po e filmonte dhe bëri një gjest me dorën e djathtë, i cili u interpretua gjerësisht si shenjë që nënkupton “vjedhje”, i shoqëruar edhe me një buzëqeshje ironike.
Ky veprim shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa disa e interpretuan ndryshe, duke pretenduar se Ronaldo kishte treguar pesë gishta për të kujtuar pesë titujt e Champions League të fituar gjatë karrierës së tij.
Në fushë, Al Hilal i drejtuar nga Simone Inzaghi triumfoi 3-1 ndaj rivalëve, duke u shkëputur në +7 pikë në krye të renditjes, pas një serie rezultatesh pozitive edhe në javët e fundit.
Cristiano Ronaldo kishte kaluar Al Nassr në avantazh të përkohshëm 1-0 në minutën e 42-të, duke realizuar golin e tij të 959-të në karrierë dhe duke iu afruar edhe më shumë shifrës simbolike prej 1000 golash. Megjithatë, ky gol nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Penalltia e akorduar në minutat shtesë largoi edhe më shumë Al Nassr nga objektivi i titullit kampion, duke lënë hije polemikash mbi ndeshjen.