Cristiano Ronaldo po sheh se si statusi i tij në botën e futbollit po shembet rreth tij, raportojnë mediumet italiane të martën.
Portugezi 34-vjeçar mungoi në ceremoninë “Balon d’Or” të hënën mbrëma në Paris, ndërsa rivali i tij i madh Lionel Messi e fitoi atë për herë të gjashtë, që është rekord. Ai tash është një para Ronaldos.
Ronaldo në vend se të ishte në Paris, ai mori pjesë në ceremoninë “Oscar del Calcio AIC”, ku u shpallën më të mirët e futbollit italian, e ku ai mori dy shpërblime.
Por, megjithatë, gjërat nuk janë aq të mira në Itali për sulmuesin e Juventusit, shkruan sot Koha Ditore.
“Corriere dello Sport” ka analizuar situatën e Ronaldos dhe ka ardhur në përfundim se lojtari është në krizë.
Është cekur ndikimi i vogël i tij në skuadër, veçanërisht krahasuar me rolin kyç që e pati stinorin e kaluar në fitimin e “Scudettos”.
Ronaldo shënoi 21 gola në elitë nën drejtimin e Massimiliano Allegrit stinorin e kaluar, por forma e tij ka rënë nën drejtimin e Maurizio Sarrit.
Marrëdhënia e Ronaldos me Sarrin është acaruar, që është ilustruar edhe nga reagimi i portugezit në zëvendësimin e tij gjatë ndeshjeve me Lokomotivën e Moskës dhe Milanin javë më parë.