Cristiano Ronaldo është rikthyer mbrëmjen e djeshme në Madrid, këtë herë jo për Realin, por për të marrë çmimin “Marca Leyenda”, me të cilin e nderoi e përditshmja spanjolle.
Ylli portugez u largua nga Reali verën e kaluar, pasi arriti të fitojë jashtëzakonisht shumë trofe, si me klubin, ashtu edhe personalë, mes të cilëve edhe 5 herë Topin e Artë.
“Kthimi në Madrid është gjithmonë një kënaqësi, pasi po flasim për një qytet që më ka dhënë shumë në aspektin sportiv dhe jo vetëm. Është një nga qytetet më të bukura në botë, me të cilin kam një lidhje shumë speciale. Shpresoj të rikthehem shpejt”, deklaroi CR7.
Më pas portugezi vlerësoi edhe sezonin e tij të parë në kampionatin italian me Juventusin, duke e cilësuar mjaft pozitiv, ndërsa shpalosi sërish objektivin e bardhezinjve për të tentuar triumfin në Champions.
“Nuk ka qenë e lehtë të largohesh nga Reali në moshën 33-vjeçare dhe të shkosh në një kampionat tjetër, me shokë të rinj, ndaj jam i lumtur për mënyrën se si shkoi ky sezon. Fituam Superkupën e Italisë dhe kampionatin me Juven, por edhe Nations League me Portugalinë dhe 3 trofe në një vit janë diçka fantastike. Këtë vit duam të fitojmë Championsin, por e dimë që është e vështirë”, deklaroi portugezi.