Rotary Club Prishtina ka vizituar shkollën “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë, për të parë nga afër aktivitetet e fëmijëve me nevoja të veçanta, në kuadër të projektit të Olimpiadës Speciale të Kosovës, mbështetur nga UNICEF-i.
Jeta Dumnica, kryetare e Rotary Club Prishtina tha se po i ndihmojnë këta fëmijë, në mënyrë që ata të integrohen në shoqëri.
“Jemi të lumtur që jemi bashkë me këta fëmijë. Kemi ardhë të shohim ndonjë mundësi që të ju ndihmojmë. Siç e kuptuam në tri komuna të ndryshme organizohen aktivitete të tilla. Ne si Rotary do të mundohemi dhe do të bëjmë shumë për këta fëmijë. Sinqerisht unë jam nënë edhe po ndihem shumë e emocionuar”, tha Dumnica, për Ekonomia Online.
Agnesa Vuthaj, anëtare e Rotary Club Prishtina, tha se është mirë t’i shohësh fëmijët me nevoja të veçanta bashkë me fëmijët tjerë.
“Është ndjenjë e përzier me qenë sot këtu. Është e vështirë me i pa fëmijët me nevoja të veçanta. Mirëpo e mira e aktivitetit është se këta fëmijë janë bashkë me fëmijët tjerë,” deklaroi Vuthaj.
Florentina Dushi, një anëtare tjetër e këtij klubi, tha se mënyra më e mirë që të ju ndihmohet kësaj kategorie të fëmijëve është integrimi i tyre.
“Mënyra më e mirë e integrimit të këtyre fëmijëve është integrimi i tyre në shoqëri. Është ndjenjë e jashtëzakonisht e veçantë të jemi bashkë sot këtu”, tha ajo.
Jehona Gjurgjeala, po ashtu anëtare, tha se puna me fëmijët ndihmon zhvillimin e tyre.
“Ne duhet të punojmë me fëmijë pavarësisht zhvillimit të tyre. Është emocionuese kur sheh fëmijë me karakteristika të ndryshme që sjellin vetëbesim dhe e shprehin me anë të lojës dhe të bënë të ndihesh shumë mirë”, pohoi Gjurgjeala.
Edhe Ardian Hoxha, pjesë e Rotary Club Prishtina, tha se po shohin mundësitë për t’i ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta.
“Siç po shihet është aktiviteti i Olimpiadës Speciale për fëmijët e moshës së hershme. Ne jemi këtu për me pa se çfarë pune bëhet dhe për me mësu se si Rotary Club mund me ndihmu edhe këta fëmijë edhe organizatën”, tha Hoxha.
Mentor Gashi, anëtar i Rotary Club, tha se do të përkrahin aktivitetet e këtyre fëmijëve.
“Ndjenja është shumë e veçantë nuk mund ta shpjegoj. Shpresoj që klubi jonë do ta bëjë të pamundurën që të jemi përkrahës për këta fëmijë”, shprehet Gashi.
Shemsie Maloku, nëna e Rinesës, tregoi sfidat me të cilat përballet në përditshmëri me fëmijën e saj.
“Të kesh një fëmijë me Sindromën Down nuk është një sfidë e lehtë. Është kënaqësi tepër e veçantë ta kesh dhe të përkujdesesh për të. Aktivitetet e tilla janë shumë të nevojshme për fëmijët tanë”, tha ajo.
James Mugaju, zëvendësdrejtor i UNICEF-it në Kosovë, theksoi se është shumë i rëndësishëm socializmi i fëmijëve.
“Ne duhet të ju ndihmojmë atyre dhe të ju krijojmë terren të përshtatshëm në mënyrë që të socializohen me fëmijët e tjerë”, deklaroi Mugaju, për Ekonomia Online.
Në vitin 2017, Olimpiada e Speciale me mbështetjen e UNICEF-it realizoi një projekt të suksesshëm në Kosovë, i cili u përqendrua në iniciativën e zhvillimit të hershëm të Olimpiadës Speciale të quajtur atletë të rinj. Duke pasur parasysh suksesin e projektit të parë të atletëve të rinj, qëllimi i propozimit të ri është zgjerimi dhe thellimi i aktiviteteve në tri qytete: Prishtinë, Obiliq dhe Vushtrri. Të paktën 60 fëmijë me aftësi të kufizuara intelektuale midis moshës 5 dhe 8 vjeçare do të marrin pjesë në aktivitete të rregullta përfshirëse dhe sportive.
Sa i përket tre modeleve – Shkollat, Komunitetet, Familjet – në tre qytete (Prishtinë, Obiliq dhe Vushtrri) projekti i propozuar do të arrijë tek fëmijët, anëtarët e familjes, shkollat dhe mësuesit.