Rrahmani: Buxheti të shfrytëzohet për funksionimin e odave, jo udhëtime zyrtare

Prishtinë | 28 Sht 2016 | 15:01 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka raportuar para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, me ç’rast para anëtarëve të këtij komisioni është përgjigjur për mosfunksionimin e odave mjekësore.

Rrahmani tha se dikasteri që ai e drejton i ka mbështet në vazhdimësi odat në hartimin e akteve normative të domosdoshme për funksionalizimin e odave.

“Ministria e Shëndetësisë ka qenë bartëse kryesore e krijimit të këtyre akteve dhe rregulloreve të cilat kanë qenë. Përkundër faktit se odat kanë pas kompetenca se vet të kyçen më intensivisht dhe të hartohen këto dokumente”, tha Rrahmani.

Ai përmendi edhe disa harxhime që sipas tij i takojnë kryetares së Odës së Mjekëve të Kosovës, Zylfie Hundozi, kryesisht me buxhet të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Udhëtim zyrtar: Zylfie Hundozi dhe Nurten Zhuri në Kroaci, 27 mars 2015, 669. 72 euro; Biletë udhëtimi për Zylfie Hundozi në Gjermani: 27 maj 2015 – 358 euro e 70 cent…”, u shpreh Rrahmani.

“Krijimi i Odave të profesionistëve shëndetësorë është një proces i ri edhe në vendet e zhvilluara dhe krejt i panjohur nga Kosova dhe mjekët tanë. Edhe pse ligjin e kemi mjaft të përparuar dhe liberal, në krahasim me vendet e rajonit, puna për kompletimin e dokumentacioneve, struktura, rregulloret etj, nga ana e Odave lë mjaft për të dëshiruar”, tha Rrahmani.

Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë ka qenë korrekte që nga krijimi i Odës së parë, në vitin 2013 dhe deri tek krijimi i Odës së pestë në vitin 2015.

“Kemi organizuar afro 15 punëtori me Odat dhe biles i kemi ftuar edhe jashtë detyrimeve tona në takime të ndryshme, për tu njohur me procedurat dhe problematikat e punës për krijimin e tyre. Ministria e Shëndetësisë është mbështetësja kryesore e Odave për krijimin e statuseve dhe rregulloreve të tyre”, tha ndër të tjerash ai.

Deputetët, të mbetur të befasuar nga shpjegimet e ministrit Rrahmani, krejt të kundërta me kërkesat dhe ankesat gjatë takimit me kryetarët e Odave, në mbledhjen e kaluar kërkuan shpjegime më të hollësishme duke kërkuar edhe organizimin e një dëgjim publik apo një takim tresh.

Tendenca e politizimit për të krijuar një klimë opozitare nga Odat, ndaj Ministrisë së Shëndetësisë tha ministri  Rrahmani, është një qëndrim krejt i gabuar kundrejt frymës së bashkëpunimit, për vetë arsyet e mungesës së përvojës në Kosovë për funksionimin e Odave edhe të vetë mjekëve.

Ai ofroi mundësinë e takimeve mujore për ta njohur Komisioni në vijim me procedurat e mëtejme.

Në përfundim u dakorduan që më 1janar 2017 të fillojë funksionalizimi i Odave të profesionistëve shëndetësorë.

Më tej Komisioni vijoi punën për shqyrtimin e planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor, i cili u miratua.

Të ngjashme