Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, i cili kohëve të fundit ka mospajtime me lidershipin e partisë së tij ka shkruar në profilin e tij një status pro-amerikan.
Rrahmani ka thënë se garanci për shtetin dhe të ardhmen e Kosovës është bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në reagimin e tij, Rrahmani ka thënë se duhet dëshmuar me punë konkrete dhe bashkëpunim të sinqert për të mirën e qytetarëve të vendit pa dallim.
“Garanci e plotë per integritetin, sovranitetin, zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës është koordinimi e bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Ne duhet të dëshmohemi me punë konkrete, planifikimin dhe bashkëpunim të mirëfilltë në interes të shtetit dhe qytetarëve të vendit tonë, pa dallim”, ka shkruar ai.
Një reagim i tillë i deputetit Rrahmani vjen në një kohë kur në veri të vendit është tensionuar situata ndërkohë që serbët kanë lëshuar institucionet.
Ndërkohë raportet mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës janë acaruar paksa si rezultat i kokëfortësisë së Kurtit ndaj kërkesës amerikane për ta shtyrë vendimin për targat.
Nga Ambasada e SHBA-së ka pasur madje edhe një udhëzim për ministrat e Qeverisë Kurti që të mos udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë kohë krize.
Siç ka thënë ambasadori Hovenier, ministrat duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të merren me situatën.