Amir Rrahmani është i gatshëm për sezonin e tij të parë në Serie A me skuadrën e Hellas Veronës.
Në një intervistë për “Tuttohellasverona.it”, qendërmbrojtësi kosovar ka deklaruar se faza përgatitore ka shkuar shumë mirë dhe janë të gatshëm për ndeshjet e rëndësishme që i presin.
“E kemi përfunduar fazën përgatitore dhe çdo gjë po ecën shumë mirë. Javën që vjen është ndeshja e parë e kupës, pastaj më 25 gusht fillon kampionati, ku duhet të jemi të gatshëm”, ka thënë qendërmbrojtësi nga Prishtina, transmeton KTV.
Sipas tij, përgatitjet fizike te Verona dallojnë shumë me përgatitjet që ka bërë më herët në ekipet ku ka luajtur.
“Mund të them se përgatitjet fizike janë më të forta se në ekipet ku kam qenë deri tani. Dallojnë shumë, sepse çdo trajner e ka planin e përgatitjeve”, tha 26 vjeçari.
Amir Rrahmani ripërsëriti premtimin për tifozët e Veronës se do të japë maksimumin në fushë për të arritur objektivat e klubit, e që janë mbetja në Serie A.
Kalimin te Verona në Itali, qendërmbrojtësi i Kosovës, e ka quajtur si hapin më të madh të karrierës deri më tani.