Me qëllim të shprehjes së respektit më të thellë për kontributin e dhënë në ngritjen dhe mbajtjen e sistemit shëndetësor të Kosovës, përmes punës akademike dhe profesionale në Fakultetin e Mjekësisë, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në institucionet e tjera shëndetësore dhe për ngritjen e shumë brezave që do të përfaqësojnë trashëgiminë e tyre profesionale; në prag të 9 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ndau sot mirënjohje për doajenët e mjekësisë kosovare, të dalë në pension.
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se qe dy vjet prej se është në krye të MSh-së, sot ka më së shumti emocione, sepse, tha ai, ” jemi të nderuar që keni ndarë kohën dhe keni marrë mundin që të takohemi bashkë”.
Është privilegj, tha më tej Ministri Rrahmani, që pata mundësi të ju shtrëngoj dorën dhe të ju shoh në një shëndet të mirë, sepse kontributi juaj për shëndetësinë tonë dhe gjeneratat tona nuk matet dhe nuk mund të thuhet me fjalë.
“Sot po bëjmë shumë pak nga ajo që meritoni Ju, sepse në rrethana krejt të tjera, edhe kur nuk kishit askënd përpara të ju trasoj rrugën, edhe kur rrezikohej qenia jonë, dhe në kohëra sfiduese, ju bëtë maksimumin, bashkë me të tjerët që për arsye të tjera nuk janë sot me ne”, tha Ministri. “Keni bërë aq punë sa ne krenohemi me trashëgiminë tuaj profesionale dhe do të jeni pikë referente me punën tuaj akademike dhe profesionale”, tha Ministri Rrahmani.
Ministri Rrahmani theksoi se vlerësimi i punës së doajenëve të shëndetësisë kosovare është obligim dhe detyrë, sepse vetëm kështu respektohet e kaluara, dhe krijohet vizioni për të ardhmen.
Ai tha se MSh po mundohet të rris në bashkëpunim me institucionet shëndetësore gradualisht cilësinë e shërbimeve, të reformojë sistemin dhe “po luftojmë që perceptimi për mantelbardhët dhe shëndetësinë kosovare të ndryshohet, sepse ata po sfidohen nga të vërteta dhe të pavërteta…”.
Ministri tha se shumë prej profesorëve që u nderuan sot do ta ndihmojnë edhe më tej sistemin me këshilla profesionale.
Në emër të profesorëve të dalë në profesion, falënderoi Profesori Isuf Dedushaj, i cili duke cituar Ciceronin tha se “nëse se mësoni të kaluarën, do të mbeteni çdo herë kalama”! Ai, duke rikujtuar rrugën e vështirë për themelimin e Fakultetit të Mjekësisë, ai tha se sot rezultatet janë evidente dhe se mjekësia dhe shëndetësia kosovare duhet zhvilluar duke kultivuar traditën e respektit brez pas brezi dhe dashurinë për punën dhe profesionin.