Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani është sqaruar sot para Kryeministrit Mustafa, për kërkesën e mjekëve specialistë të cilët po kundërshtojnë anulimin e konkursit i cili parasheh punësimin e tyre në QKUK.
Rrahmani ka thënë se këta mjekë kanë pësuar si rezultat i Inspektoratit të Punës i cili ia ka mohuar të drejtën Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e konkursit për punësimin e tyre, raporton Ekonomia Online.
“Pas shpalljes s konkursit më vonë mendojmë se është krijuar një situatë e panevojshme me vendimin e Inspektoratit të Punës që ia mohon të drejtën ligjore Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e konkursit për punësimin e këtyre specialistëve në Shërbimin Spitalor Kliniko-Universitar gjë që mendoj se nuk mund të ndodhë ndryshe pa rishikim të buxhetit sepse ne i kemi mjetet në Ministri të Shëndetësisë dhe i kemi pozitat në MSh që burojnë nga ligji aktual i buxhetit”, ka thënë ai.
Rrahmani ka kërkuar nga kryeinspektori i Punës të anulojë vendimin e Inspektorit përkatës në mënyrë që të procedojnë tutje për punësimin 16 specialistëve në SHSKUK.
Zgjidhjen e këtij problemi e kërkoi edhe kryeministri Mustafa i cili tha se Qeveria do të insistojë që mos ta pësojnë mjekët specialistë.
“Ne në Qeveri nuk mund të ndajmë rregulla, rregullat i ka nda ligji por ajo që në duam është që të insistojmë që si Qeveri ta bëni punën që mos të pësojnë specializantët për shkak të procedurave të cilat po zhvillohen. Të sqarohet qartë edhe në pikëpamje ligjore sepse me buxhet mjetet janë përcaktuar në Ministrinë e Shëndetësisë, konkurs shpall ai që e ka buxhetin. Harmonizimi duhet të bëhet me Shërbimin Spitalor të Kosovës në pikëpamje edhe me institucionet tjera. Ne ligjin duhet ta zbatojmë maksimalisht por nuk duhet të lejojmë që të pësojnë njerëzit që kanë konkurs dhe qytetarët”, ka thënë Mustafa.
Mjekët specialistë të privuar nga e drejta për punësim ditë më parë protestuan para Qeverisë. Ata janë pritur në takim edhe nga kryetari i Kuyvendit Kadri Veseli, nga i cili kërkuan zgjidhjen e problemit.