Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Sipas gjykatës, “ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 nëntor 2021, në banesën e tyre të përbashkët në Ferizaj, i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës-bashkëshortes së tij Z.Gj., ashtu që pas një fjalosje që kanë pasur mes vete, tensionohet situata dhe e sulmon fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me grushta në kokë dhe në anën e djathtë të fytyrës afër syrit, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore, për të cilat e dëmtuara posedon raporte mjekësore”, transmeton Gazeta Express.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjti i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.