Tërmeti që goditi Shqipërinë mbrëmë po konsiderohet si më i fuqishmi në 30 vitet e fundit, ku si pasojë humbën jetën dhjetëra qytetarë dhe qindra tjerë u lënduan, raporton EuroNews.
Katër tërmete ndodhën brenda pak minutave në orët e para të mëngjesit, që vlerësohet të kenë qenë prej 6.4 magniutë, duke bërë kështu që shumë ndërtesa e shtëpi të shemben e qytetarë të shumtë të mbesin të ngujuar nën rrënoja, përcjell Telegrafi.
Megjithatë një turist turk e ka përshkruar në detaje për EuroNewsin momentin e dridhjes së fuqishme që u ndje në qytetin bregdetar të Durrësit.
“Po qëndroja në një shtëpi të vogël të miqve në Durrës kur tërmeti i parë goditi vendin rreth orës 3:30 të mëngjesit”, ka deklaruar Barış Baran.
Sipas tij dridhjet e para kanë zgjatur nga 8 deri në 10 sekonda, ku ai së bashku me miqtë dhe familjet e tyre dolën jashtë nga frika se mund ta pësojnë me jetë.
“Kemi pritur për 10 minuta jashtë dhe më pas u futëm sërish brenda për ta vazhduar gjumin. Por nuk kaluan shumë minuta kur tërmeti i dytë goditi vendin – në ato momente isha i zgjuar, e kam ndjerë çdo dridhje. Kishte tinguj dërrmues që vinin nga çatia dhe u shemb një mur aty pranë. Nuk dëgjova ndonjë zë që ulërinte, ishe vetëm zhurma e çative dhe ballkoneve”, shtoi turisti turk i cili thotë se ky tërmet vetëm sa ia kishte rritur frikën pasi një tërmet të ngjashëm e kishte përjetuar në Stamboll.