Gati dy dekada jetë, Xhavit Haliti është pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për kaq kohë edhe ka mbajtur pozitën e njëjtë në Kuvendin e Kosovës, si nënkryetar.
Krijimin e institucioneve të para të Kosovës, Haliti e sheh si një sfidë të radhës pas asaj të luftës.
“Krijimi i institucioneve të Kosovës ka qenë një lumturi e dytë pas luftës së fituar me UÇK-në dhe ndihmën e NATO-s”, rrëfen Xhavit Haliti, për RTV Dukagjini.
Nisjen e seancës së parë të Kuvendit pos emocionit e mban mend edhe për gjuhën jo të mirë mes kolegëve, mandej kjo rrymë thotë se e përcjell ende vendin e debatit për çështjet me rëndësi për shtetin.
“Futjen e parë në Kuvendin e Kosovës e kam pasur me emocione të mëdha, edhe pse shumica e deputetëve nuk kanë pasur harmoni. Nuk kemi arritur që të kemi një foto të përbashkët as në fillim e as sot, ashtu si ndodh në shumicën e kuvendeve në botë”, thotë Haliti.