Qeveria shqiptare ka hedhur një hap të ri në formalizimin dhe rritjen e standardeve të turizmit elitar në vend.
Përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar së fundmi, i cili me botimin në Fletoren Zyrtare ka hyrë në fuqi zyrtarisht, është zbardhur modeli tip i marrëveshjes që do të lidhet mes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB) dhe investitorëve strategjikë për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve apo lumenjve si stacione plazhi.
Ky dokument i ri ligjor vendos një standard të panjohur më parë për menaxhimin e hapësirave publike nga subjektet private, duke u fokusuar fort te siguria e pushuesve, mbrojtja e mjedisit dhe garantimi i të ardhurave për pushtetin lokal.
Të ardhurat shkojnë për Bashkitë
Ndonëse kontrata nënshkruhet me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, përfituesit financiarë të këtyre marrëveshjeve do të jenë drejtpërdrejt Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore (Bashkitë) ku ndodhet investimi.
Sipas vendimit, pagesa vjetore e tarifës do të përllogaritet bazuar në tarifat e miratuara nga Këshilli Bashkiak dhe do të fillojë të vilet në momentin që hoteli apo resorti vihet në funksion. Për të shmangur zhvlerësimin, kjo tarifë do të indeksohet çdo vit bazuar në normën e inflacionit të shpallur nga INSTAT. Investitorët kanë afat 30 ditë për të shlyer faturën çdo muaj tetor; në të kundërt, ata do të përballen me kamatëvonesa dhe rrezikojnë prishjen e kontratës.