Rregullatori i barnave i Bashkimit Evropian do të vendosë nëse do të miratojë pilulën COVID-19 të Pfizer në fund të këtij muaji, përpara një rishikimi përfundimtar të ilaçit të ngjashëm por më pak efektiv të Merck në shkurt, tha një burim.
Në fund të vitit të kaluar, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) u dha udhëzime shteteve anëtare se si të përdorin të dyja pilulat antivirale si trajtime urgjente, ndërkohë që kreu rishikime të vazhdueshme për të ndihmuar vendet anëtare të vendosin për miratimin e shpejtë përpara çdo miratimi zyrtar në mbarë BE-në.
Italia, Gjermania dhe Belgjika janë disa ndër vendet e BE-së që kanë blerë ilaçin.
Rishikimi i pilulës Merck (MRK.N) nga EMA, i zhvilluar me Ridgeback Biotherapeutics, po zgjat më shumë se ai i Pfizer (PFE.N) sepse Merck lëshoi të dhënat e provës në nëntor që tregonin se ilaçi i saj ishte dukshëm më pak efektiv sesa mendohej më parë.
“Merck kishte aplikuar më herët se Pfizer, por më pas ata i kishin dërguar të dhënat përfundimtare mbi efikasitetin më vonë, dhe për këtë arsye rregullatorëve evropianë iu desh më shumë kohë për të shqyrtuar të dhënat e fundit,” tha burimi.
Burimi nuk pranoi të identifikohej sepse rishikimet e EMA-s janë konfidenciale.