Rregullorja ua ndalon diplomatëve të komentojnë në rrjete sociale, por MPJD “hesht” për Prindon Sadriun

Prishtinë | 09 Shk 2022 | 17:01 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ndonëse rregulloret dhe udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme ua ndalojnë ambasadorëve dhe udhëheqësve të misioneve të bëjnë komente dhe postime në rrjetet sociale, këto rregulla duket se nuk vlejnë për udhëheqësin e Ambasadës së Kosovës në Shkup, Prindon Sadriu.

Sadriu i cili është bashkëshorti i presidentes Osmani, edhe më herët ka bërë komente të papërshtatshme në faqen e tij në Facebook, por më eklatanti është postimi i mbrëmshëm, ku ai sulmon mediet dhe gazetarët e Kosovës, duke i quajtur “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”.

Në një udhëzim për qëndrime në rrjetet sociale nga (tani ish) drejtori i Përgjithshëm në MPJ, Albert Prenkaj, të siguruar nga Ekonomia Online, iu tërhiqet vërejtja ambasadorëve dhe udhëheqësve të misioneve se mospërfillja e këtij udhëzimi do të jetë objekt i shqyrtimit disiplinor nga MPJ-ja.

“Në lidhje me përdorimin e rrjeteve sociale private dhe zyrtare, si udhëheqës të misioneve diplomatike, përfshirë dhe zyrat e Konsullatave të Përgjithshme dhe Konsullatave, përfshirë këtu stafin diplomatik dhe konsullore, duhet me përpikmëri t’i përmbaheni Kushtetutës dhe kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Të gjitha postimet dhe sloganet që janë në shpërputhje me fondamentin shtetëror dhe sistemin e vlerave të mëshiruara në Kushtetutë duhen të mënjanohen nga faqet e rrjeteve sociale private dhe zyrtare”, thuhet në shkresën e Prenkajt.

Se e kanë të ndaluar çdo komunikim dhe status në rrjetet sociale, pa leje të MPJ-së, e thotë edhe një qarkore që mban datën 24.08.2020 dërguar nga Arben Rugova, zëvendësdrejtor i Divizionit për Komunikim Publik, të cilën e ka siguruar EO.

“Çdo deklaratë, prononcim ose “postim” në mediumet sociale, të cilën e bën një pjesëtar i Shërbimit të Jashtëm ose person tjetër që kryen ndonjë detyrë ose funksion për Shërbimin e Jashtëm, mund të interpretohet nga publiku si qëndrim zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ose të paktën t’i atribuohet Ministrisë si i tillë. Nuk është me rëndësi se çfarë qëllimi ndjek punonjësi i Shërbimit të Jashtëm kur e bën një “postim”, por, se si interpretohet dhe perceptohet ky “postim nga publiku. Kjo vlen edhe për të gjitha rastet kur ndonjë deklaratë, prononcim ose “postim” privat shënohet si “mendim personal”, por, ka të bëjë drejtpërdrejtë me çështje që janë në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Shërbimin e Jashtëm ose në përgjithësi me politiken e jashtme të Republikës së Kosovës”, thuhet aty.

“Moszbatimi i rregullave të përcaktuara me këtë qarkore do të konsiderohen si shkelje disiplinore dhe do të procedohen menjëherë si të tilla. Për personat e përcaktuar në pikën 2 të kësaj qarkore, të cilët nuk janë pjesëtarë të Shërbimit të Jashtëm në cilësinë e shërbyesve civilë, moszbatimi i rregullave sipas kësaj qarkore do të konsiderohet si shkelje esenciale e kontratës dhe do të merret si shkak për shkëputjen e menjëhershme të angazhimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”.

Sjellja e shërbyesve civilë, përfshirë dhe atyre në shërbimin e jashtëm rregullohet po ashtu me  Rregulloren (QRK) – nr. 04/2015 për Kodin e Mirësjelljes në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, e nxjerrë në vitin 2015 në kohën e Qeverisë së Isa Mustafës.

Njohës të çështjeve politike në vend dhe profesorë të Gazetarisë, thonë se me mosshkarkimin e Sadriut, po krijohen dy standarde.

Ata kanë kërkuar nga institucionet që të marrin masa disiplinore ndaj Sadriut, njëjtë siç kishin vepruar para disa vitesh me ambasadorin e Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti, ose sikur u suspendua para disa ditësh polici Amir Hoxha për një koment më tepër sindikalist në Facebook.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se duhet të merren masa ndaj Prindon Sadriut për faktin që ai është pjesë e shërbimit diplomatik, sikurse dhe ushtarak. Teksa ka përmendur rastin e suspendimit të policit Amir Hoxha, Demhasaj thotë se polici Hoxha u suspendua për shkak të një kërkesë sindikale.

“Mendoj që shërbimi diplomatik dhe shërbimi ushtarak duhet të marrë masa ndaj tij sepse nuk duhet të lejohet që një person i tillë të dalë dhe të linçojë media në mënyrë publike, në mënyrë, qysh ai është duke vazhdu. Nuk është hera e parë, por është hera e disatë, që ai po bën linçime të tilla”.

“Ne pamë pak para disa dite një polic i cili dha një mendim të vetin në rrjetin e tij social për moszbatim të një ligji edhe u suspendua në bazë të një udhëzimi administrativ. Në anën tjetër, tash po e shohim që bashkëshorti i presidentes, pjesë e shërbimit diplomatik e ushtarak, edhe jep deklarata të tilla publike, linçon media edhe nuk suspendohet. Atëherë për çka po flasim? Ose duhet të vlejnë rregullat e njëjta për krejt, ose nuk duhet të vlejnë hiç këto rregulla”, ka thënë Demhasaj, për Ekonomia Online.

“Këtu mund të ketë ndikim politika, sepse ai është burri i presidentes”.

“Pra i kemi dy raste ta freskëta. Polici u suspendua pse kërkojë me u zbatu ligji e nuk po suspendohet burri i presidentes me deklarata linçuese ndaj mediave. Kjo është problematike. Kjo tregon që ligjet apo udhëzimet administrative nuk vlejnë njëjtë për të gjithë personat, po varësisht prej fuqisë së tij politike që e ka”, u shpreh ai.

Gjasat për t’u suspenduar Prindon Sadriu janë të pakta, thotë Demhasaj, pasi sipas tij suspendimi ishte dashur të ndodhë menjëherë.

“Mendoj qe Ministria e Punëve të Jashtme duhet të marrë masa për suspendimin e Prindon Sadriut, sepse me gjasë nëse nuk merren masa ai mundet prapë në të ardhmen t’i përsërisë reagimet e tilla linçuese që mendoj se janë të tmerrshme, sidomos kur flasim për një person i cili mban funksione tepër të rëndësishme në këtë vend”, thekson Demhasaj nga “Çohu”.

E profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi, thotë se kohët e fundit janë shtuar rastet ndaj sulmet ndaj punonjësve të medieve, duke e cilësuar këtë si lajm të keq për lirinë e shprehjes e demokracisë.

“Të gjitha gjasat janë që është duke u ndërtuar një politikë armiqësore ndaj medieve. Rasti i fundit i bashkëshortit të presidentes është vërtet skandaloz që të quhen mediet ‘Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale’. Kjo është përtej të imagjinueshmes që mund të bëhet nga dikush që në një mënyrë ose në një tjetër është i lidhur me poste shtetërore”.

“Unë besoj që qeveria duhet të ndalë veten, të frenojë veten dhe të kuptojë që lufta me mediet është luftë e humbur paraprakisht, ashtu që thjesht të konsideroj që mediet janë partner, janë pjesë e përbashkët unike e demokracisë dhe jo armiq, sepse mediet nuk janë armiq, por raportojnë atë që ndodhë”, ka thënë Krasniqi.

Kundër deklaratave të Sadriut ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili është shprehur i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe medieve në Kosovë.

Shkarkimin e Sadriut e ka kërkuar dhe drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), Imer Mushkolaj. Ai ka kërkuar nga MPJD dhe FSK-ja që ta veprojnë sipas rregullave ligjore në fuqi.

Në vitin 2014, ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti, ishte shkarkuar pasi në një postim në rrjetin social Facebook e kishte ofenduar ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, duke e quajtur psikopat. Në arsyetimin për shkarkim nga ministri i atëhershëm i Jashtëm, Enver Hoxhaj, thuhet se komentet “nuk korrespondonin me rregullat diplomatike dhe sjelljet e një diplomati”.

Ekonomia Online ka kërkuar sqarime nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) nëse do “të shqyrtohet” rasti i Sadriut. Zyrtarët për informim kanë thënë se ia “kanë përcjell kabinetit” pyetjet dhe se do të kthenin një përgjigje “brenda orës”. Por, deri në publikimin e këtij lajmi, ky dikaster nuk ka kthyer përgjigje.

Ministre e Jashtme është Donika Gërvalla-Schwarz, e cila i takon Listës “Guxo”, të themeluar nga presidentja aktuale.

Bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, ka mbetur ushtrues detyre i udhëheqësit të Ambasadës së Kosovës në Shkup, pas shkarkimit të ambasadorit Gjergj Dedaj. Ai, po ashtu është pjesë e ushtarakëve rezervë të FSK-së dhe mban gradën nënkolonel.

Të ngjashme