Rreshteri me inicialet Sh.S, gjatë ditës së djeshme vrau një të ri në Suharekë në një Kazino.
Rreshteri Sh.S, i cili dyshohet se gjatë ditës së djeshme vrau një person rreth të 30-tave në Suharekë, ishte i akuzuar edhe për vepra të tjera penale.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), e ka konfirmuar për lajmi.net, se rreshteri Sh.S, më 19 qershor të vitit 2015 me aktvendim të Prokurorisë Themelore të Prizrenit ishte ndaluar për 48 orë, pasi që i njëjti dyshohej se kishte kryer veprën penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare”.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) më 19.06.2015 me aktvendim të prokurorisë Themelore në Prizren e kanë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë të dyshuarin Sh. S. I njëjti me rekomandim të IPK-së është suspenduar dhe ndaj tij nga Inspektorati Policor i Kosovës është ngritur kallëzim penal me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë për lajmi.net.
Po ashtu ndaj rreshterit Sh.S më 5 dhjetor të vitit 2018 nga hetuesit e IPK-së ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
“Hetuesit e IPK-së më 05 dhjetor 2018, për një rast tjetër, ndaj të dyshuarit Sh. S ka ngritur kallëzim penal në prokurorinë kompetente me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare””, bën të ditur IPK-ja për lajmi.net.
Ndërkaq sa i përket rastit të djeshëm, pra vrasjes në Suharekë, IPK-ja ka bërë të ditur se hetimet e deritashme tregojnë se i dyshuari Sh. S nuk ka qenë në detyrë zyrtare në kohën kur ka ndodhur incidenti.
“Sa i përket armës që është përdorur në këtë fazë të hetimeve nuk mund të jepen detaje pasi që janë një sërë ekzaminimesh balistike dhe ekzaminime të tjera që duhet të bëhen”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Inspektorati po ashtu ka bërë të ditur se është akoma herët të flitet për motivin e këtij rasti, sidoqoftë, në konsultim me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së do të ndërmarrin në vazhdimësi veprime hetimore drejt ndriçimit të plotë të rastit.