Policia e Kosovës ka shqiptuar rreth 125 mijë gjoba për qytetarët që kanë shkelur masat anti-COVID, që kur ka hyrë në fuqi Ligji anti-COVID, ka njoftuar Policia në një përgjigje për KOHËN.
Saktësisht, nga 26 gushti kur ka hyrë në fuqi ky ligj e deri sot Policia ka shqiptuar 124 mijë e 823 gjoba.
Nga kjo nënkuptohet se janë ndarë mesatarisht 850 gjoba në ditë.
Gjoba më e ulët ka qenë ajo 35 euro, për mosvendosje të maskës. Në përllogaritjen më të ulët i bie që ndaj qytetarëve të Kosovës që kanë shkelur masat anti-COVID janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 4.36 milionë eurosh.