Në kohën kur shumë biznese po largonin punëtorët nga puna e disa të tjerave u vihej dryni, Familja Osmanaj, vendosi të hapë një hotel dhe restorant afër burimit të Istogut.
Me shumë entuziazëm dhe me po aq frikë, ata jetësuan një ide të kamotshme.
“Troja” u quajt biznesi, por i njëjti nuk hyri aq fuqishëm sa edhe vetë emri, pasi si pasojë e vendimeve të Qeverisë s’funksionoi asnjëherë ashtu siç u projektua.
“Që nga hapja i kemi të ndaluara organizimet e ahengjeve familjare. Nuk kemi shumë salla, vetëm për ndonjë organizim më të vogël si fejesa. Por, është dashur të reduktojmë numrin e punëtorëve nga mbi 100 në 70”, thonë Osmanajt për Shqip.com.
Me vendime e pengoi, por shteti asnjëherë ndihmë nuk i ofroi biznesmenit nga Istogu.
“Jo, që kur e kemi hapur biznesin nuk është hapur asnjë aplikim për subvencionim”.
Afër 19 mijë biznese të hapura gjatë pandemisë
“Troja” është vetëm një nga 18 mijë e 760 biznese që u hapën gjatë pandemisë në Kosovë.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dërguar për Shqip-in, nga muaji mars deri në dhjetor 2020, në Kosovë janë hapur 8 mijë e 59 biznese.
Ndërsa, përgjatë vitit 2021, janë hapur 10 mijë e 701 të tjera.
Sa i përket numrit të bizneseve të regjistruara në ARBK, nuk përbën dallim të theksuar periudha para me atë gjatë pandemisë.
Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2019, në ARBK janë regjistruar 10 mijë e 38 biznese, apo 663 më pak se në vitin 2021.
Bizneset që gjetën më tepër treg në pandemi rezultojnë të jenë Tregtia me Shumicë dhe Pakicë dhe Riparimi i Mjeteve Motorike dhe Motoçikletave me gjithsej 5 mijë e 275 biznese të hapura.
Ndërsa, Aktivitetet Profesionale Shkencore dhe Teknike kanë numrin më të vogël të bizneseve të hapura – gjithsejtë 1 mijë e 931.
Kadriaj: Sektori i bizneseve të hapura në pandemi nuk siguron ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese
Skeptik për jetëgjatësinë e këtyre bizneseve është profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.
Kadriaj thotë se hapja e bizneseve në numër kaq të madh është shpresë për funksionimin e ekonomisë, megjithatë shton se këta sektorë nuk sigurojnë ekonomi të fuqishme dhe konkurruese në rajon, pasi “nuk e kanë sensin e prodhimit”.
“Bizneset po importojnë ide nga jashtë dhe po i shesin në Kosovë. Është shqetësuese, sepse po krijohen biznese që është më lehtë për të fituar të ardhura, por jo për të krijuar stabilitet në ekonominë e vendit”, tha Kadriaj për Shqip.com.
Për një zhvillim ekonomik, Kadriaj thotë se qeveria duhet të fokusohet në përkrahjen e bizneseve prodhuese, pavarësisht se buxheti i shtetit mbushet nga të hyrat e importit.
“Kjo qasje duhet të ndryshojë sepse ngufatë prodhimin vendor. Por, deri tani nga kjo qeveri s’ka dhënë sinjal për përmirësimin e gjendjes. Kjo në ekonomi quhet taksa të njëanshme dhe ekonomi e njëanshme. Mbledhja e të hyrave përmes doganës qeverisë i konvenon, por është e dëmshme për ekonominë”.
Ndërkohë, rreth 3 mijë biznese në Kosovë janë mbyllur për shkak të pandemisë COVID-19.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë gjatë vitit 2020 kanë falimentuar 1 mijë e 346 biznese, ndërsa vetëm gjatë vitit 2021 ky numër ka arritur në 1 mijë e 519 biznese, pra 173 veprimtari më shumë krahasuar me vitin 2020.
Numri më i madh i këtyre biznese që janë shuar kanë ushtruar veprimtari në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga hoteleria dhe akomodimi, si dhe industria përpunuese, në listën e bizneseve të mbyllura figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit.