Rreth 25 milionë amerikanë hedhin votën në shtetet e pavendosura

Prishtinë | 24 Tet 2024 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Ndërsa miliona amerikanë u drejtohen qendrave të votimit, kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, kërkon mbështetjen e votuesve të pavendosur në Pensilvani dhe republikani Donald Trump zhvillon tubime në shtetin e Xhorxhias.

Gati 25 milionë amerikanë kanë votuar personalisht ose me postë, sipas të dhënave nga Laboratori Zgjedhor i Universitetit të Floridës. Disa shtete amerikane mundësojnë votimin e hershëm.

Disa shtete, mes tyre Karolina e Veriut dhe Xhorxhia, shtete të pavendosura, shënuan pjesëmarrje rekord javën e kaluar në ditën e parë të votimit të hershëm.

“Votat e hedhura në Xhorxhia janë në nivele rekord”, tha republikani Trump gjatë një tubimi me temë fetare dhe zgjedhore në Zebulon të shtetit të Xhorxhias. “Votat e hedhura në çdo shtet janë në nivele rekord. Ne po ecim shumë mirë dhe shpresojmë se mund ta rregullojmë vendin tonë”.

Pjesëmarrja e fuqishme në votimet e hershme vjen pasi Nënpresidentja Harris dhe ish Presidenti Trump gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë në shtetet fushëbetejë ndërsa kanë mbetur më pak se dy javë deri në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Ditët e fundit, kandidati Trump është përpjekur të fitojë mbështetjen e rrymave fetare të krishtera, me shpresën që të lënë mënjanë shqetësimet e tyre lidhur me komentet tij të shpeshta plot ngjyrime.

Kandidati republikan, për cilin tubimet kanë qenë elementi kryesor i fushatave që nga vitit 2015, tha në Zebulon të Xhorxhias se ndihej i trishtuar që po i vjen fundi kohët së tij si politikan.

Nëse i fiton zgjedhjet e nëntorit, zoti Trump do të drejtojë vendin për katër vjet, në mandatin e tij të dytë dhe të fundit. Pas qytetit Zebulon, zoti Trump zhvillon një tubim në Duluth të Xhorxhias i shoqëruar nga gazetari Tucker Carlson dhe ish kandidati i pavarur për president, Rober F. Kennedy Jr.

Nënpresidentja Harris zhvillon një tubim në Pensilvani në përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve të pavendosur dhe ndryshuar ekuilibrin e garës së ngushtë, ku edhe një përqindje e vogël votash mund të jetë vendimtare.

Demokratja Harris i shfrytëzoi komentet e shefit të kabinetit të ish Presidentit Trump, John Kelly, i cili tha për gazetën New York Times se zoti Trump e plotëson “përkufizimin e përgjithshëm si fashist” dhe se i admironte diktatorët. Zonja Harris, e cila ka argumentuar se republikani Trump përbën kërcënim për demokracinë amerikane, i quajti komentet e zotit Trump të cituara nga zoti Kelly si “thellësisht shqetësuese dhe tepër të rrezikshme”.

Drejtuesit e fushatës së republikanit Trump i kanë hedhur poshtë komentet e zotit Kelly, duke i cilësuar ato si “histori të dala boje”.

Zonja Harris nuk arriti ta bindë zotin Trump për një debat të dytë presidencial të drejtuar nga rrjeti CNN, pasi ajo u cilësua si fituese e debatit të parë në shtator të organizuar nga rrjeti ABC News.

Pensilvania dhe Xhorxhia janë ndër shtetet që do të përcaktojnë se kush do t’i fitojë zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë. Të dy kandidatët ka të ngjarë të zhvillojnë tubime të tjera në këto shtete para zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Nga 7 shtetet kyçe, Pensilvania është më e madhja dhe ka 19 elektorë, numrin më të lartë ndër ato që konsiderohen shtete vendimtare.

Në dy garat e fundit, kandidati që ka fituar në Pensilvani, ka fituar edhe zgjedhjet presidenciale. Diferenca në të dyja rastet ka qenë e ngushtë, me disa dhjetëra mijëra vota në një shtet me miliona votues. Ndërsa sondazhet tregojnë se gara është tepër e ngushtë, Pensilvania mund të përcaktojë fituesin e Shtëpisë së Bardhë.

Të ngjashme