Armëmbajtja pa leje ende është një ndër shqetësimet më të mëdha për sigurinë publike në vend. Në Kosovë llogaritet se gjenden rreth 250 mijë armë ilegale në posedim të qytetarëve.
Asgjësimi apo edhe legalizimi i tyre është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila në dhjetor të 2018-s e pati nisur një fushatë për legalizim të armëve.
Por, për 9 muaj sa ka zgjatur periudha e legalizimit janë paraqitur vetëm 2000 kërkesa për regjistrim të armëve, kryesisht nga qytetet Prishtinë e Prizren.
Nga MPB-ja nuk kanë bërë të ditur ndonjë strategji konkrete që do të përshpejtonte ritmin e legalizimit apo edhe të konfiskimit të armëve. Kësisoj, kjo çështje ka mbetur në ndërgjegjen e qytetarëve që gjatë periudhave të legalizimit të aplikojnë për regjistrim të tyre.
“MBP e vlerëson si proces të qëlluar dhe e konsideron të suksesshëm, sepse nuk janë numër i vogël kërkesat e paraqitura deri më tani, por në periudhat e tjera të legalizimit shpresojmë të kemi më shumë kërkesa, sepse kërkesat ligjore në këtë periudhë kanë qenë më të komplikuara dhe ne jemi duke punuar në këtë drejtim që këto pengesa ligjore t’i reduktojmë që të kemi më shumë armë të legalizuara”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që posedon armë pa leje mund të dënohet me gjobë deri në 7.500 euro ose me burgim deri në 5 vjet. Por aty gjithashtu parashihet edhe dënimi 2 deri në 10 vjet burgim, për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.
Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, përmend disa shkaqe që, sipas tij, kanë ndikuar që qytetarët të mos i regjistrojnë armët pa leje që posedojnë.
“Kësaj klime i kanë kontribuuar shumë faktorë, veçanërisht është fakti që strategjitë e përcaktuara nga Republika e Kosovës nuk janë përshtatur me specifikat që bart kjo problematikë në vendin tonë dhe po ashtu të njëjtat strategji nuk janë zbatuar. Në anën tjetër, krahas kësaj ka ndikuar edhe ndjekja penale në këto raste dhe veçanërisht politika e ulët ndëshkimore ndaj qytetarëve të cilët janë dënuar për rastet e armëmbajtjes pa leje”, ka thënë ai.
Në Kosovë janë rreth 16 kompani të cilat merren me trajnimin për përdorim të sigurt të armës dhe çmimet për regjistrim të pistoletave variojnë nga 150 deri 250 euro, ndërsa për armët e gjata për gjueti çmimet shkojnë nga 80 deri 150 euro. Ndër faktorët për mosregjistrim të armëve, Shala thotë të ketë ndikuar edhe kostoja buxhetore e lartë.
Brenda një viti, Policia e Kosovës konfiskon rreth 1500 armë. Kontribut në zvogëlimin e armeve ilegale jep edhe shkatërrimi i armëve, i cili bëhet çdo vit.