Lëvizja FOL me mbështetjen e Friedrich Ebert Stifuting (FES) ka mbajtur sot diskutimin online me ç’rast ka publikuar raportin “Shpenzimet e komunave për vendime të gjykatave janar-gusht 2020”.
Ky raport përfshinë gjetjet nga monitorimi i pagesave të ekzekutuara nga Komunat e Republikës së Kosovës si rezultat i vendimeve të gjykatave për periudhën janar-gusht 2020. Qëllimi i këtij raporti është informimi i publikut për shkallën e shpenzimeve që komunat i kanë paguar për vendime të gjykatave, përkatësisht se sa përqind të buxhetit të komunave për vitin 2020 janë destinuar për pagesat e këtyre vendimeve.
Albana Hasani, nga Lëvizja FOL, tha se komunat e Republikës së Kosovës kanë vazhduar të ekzekutojnë pagesa të larta për vendime të gjykatave edhe gjatë periudhës janar-gusht 2020, përkundër faktit se gjatë kësaj periudhe gjykatat u obliguan të punojnë vetëm për raste të natyrës urgjente, në rrethin e të cilave këto lëndë nuk ishin të përfshira.
“Gjatë periudhës janar–gusht 2020, Komunat e Republikës së Kosovës për vendime të gjykatave kanë shpenzuar rreth 3 milion euro, apo 8,47 % të buxhetit fillestar të paraparë për të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës” tha Hasani. Sipas saj, kjo ulje e theksuar e pagesave të këtyre vendimeve në krahasim me vitet paraprake ka ardhur si rrjedhojë e situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë COVID-19 gjatë muajit mars të këtij viti, ku gjykatat kanë punuar vetëm për raste të natyrës urgjente për katër muaj me radhë (rastet e dhunës në familje, rastet me paraburgim dhe rastet për të mitur etj.), prandaj procedimi me lëndë të tilla të komunave, si lëndë të natyrës civile, ka qenë i pamundur gjatë asaj periudhe.
“Pagesat e komunave për vendime të gjykatave vazhdojnë të jenë barrë e rëndë për Buxhetin e Republikës së Kosovës. Duke vazhduar në këtë mënyrë, pra duke mos respektuar dispozitat ligjore dhe detyrimet tjera kontraktuale të komunës, përveç që si pasojë ka rëndimin e Buxhetit të Komunës, kjo do të ketë edhe efekte financiare afatgjate”, ka përfunduar Hasani.
Melihate Asllani, nga FES, tha se platforma “Kosova qe duam” është një platforme qe është organizuar FES, ku mundë të përfshihen edhe qytetaret dhe te kontribuojnë në arritjen e një shteti ku kemi një qeverisje të mirë. “Fokusi i FES-it ka qenë kryesisht puna me komuna, sepse demokracia e mirëfillte buron edhe prej komunave. FES është i përkushtuar me i mbështet te gjitha organizatat qe kane synim fuqizimin e qeverisjes lokale, me shpresë të krijimit të komunave që janë më afër qytetarëve” tha Asllani.
Sami Istrefi, Avokat i Përgjithshëm Shtetëror, tha se komunat nuk kanë planifikuar buxhet të mjaftueshëm që të bëhen pagesat për mësimdhënësit dhe për të punësuarit në shëndetësi. “Ne kemi reaguar përmes kërkesës në Gjykatën Supreme ku kemi kërkuar sqarim dhe opinion ligjor se a kanë pasur të drejtë përmbaruesit privat të iniciojnë procedura të tilla apo jo, ne kemi pranuar opinionin nga Gjykata Supreme që i jep të drejtë përmbaruesve privat që ti shqyrtojnë dhe trajtojnë këto raste“ ka thënë Istrefi. Sipas Istrefit, kryetarët e komunave me rastin e planifikimit të buxhetit duhet të përfshijnë edhe obligimet kontraktuale të komunave, pavarësisht se a kemi të bëjmë me kontratë kolektive, me operatorë ekonomik apo me të punësuar.