Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar të hënën se në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, aktualisht janë të shtrirë 508 pacientë, prej tyre 392 janë të prekur me koronavirus.
Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se 13 pacientë janë në respiratorë, 27 janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, CPAP, derisa 316 të tjerë janë në oksigjenoterapi.
Kosova ka gjithsej 700 shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale.
Këtij vendi të hënën i janë shtuar 99 raste të reja të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas testimit të 406 mostrave.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar në 24 orët e fundit 13 persona të vdekur me koronavirus, duke e çuar numrin total të viktimave në 480.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPIK) ka raportuar për 12,547 të infektuar me këtë virus.
Deri më tani 8,657 pacientë janë shëruar, derisa aktualisht janë 3,410 raste aktive.