Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku ka marrë pjesë në organizimin e shënimit të Ditës Botërore të Diabetit në të cilën Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës IKSHPK, Shoqata e Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë folur për sëmundjen e diabetit dhe ndikimin e saj në shëndetësi.
Sadiku tha se në shumë vende diabeti është shkaku kryesorë i verbimit, sëmundjeve kardiovaskulare, insuficiencës së veshkave dhe amputimeve të gjymtyrëve të poshtme.
Ai tha se Ministria e Shëndetësisë vazhdon furnizimin e rregullt me Insulinë për 11470 pacientët me diabet dhe se furnizimi me barna antidiabetike “vlerësojmë se do të përmirësohet në të ardhmen me funksionalizimin e SISH-it dhe Sigurimeve Shëndetësore dhe se, në kuadër të aktiviteteve për përmirësimin e kushteve për të sëmurit me diabet, është edhe revidimi i Planit Nacional për Diabet I, cili është hartuar në vitin 2006, dhe MSh do të mbështesë atë”.
“Sot në shënimin e kësaj dite, ftoj organizatat e pacientëve diabetikë, Shoqatën e Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës, Klinikën e Endokrinologjisë në kuadër të QKUK, Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës dhe mediat për bashkëpunim konkret për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për diabetikët dhe parandalimin e shtrirjes së kësaj sëmundje”, tha Zëvenësministri Sadiku.
Drejtori ekzekuotiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se “në këtë ditë të gjitha institucionet shëndetësore dhe Shoqata e Diabetit në Kosovë janë të bashkuar për të parandaluar diabetin, në theks të veçantë në sensibilimin e njerëzve që të kryejnë kontrolle të rregullta si të sheqerit, ashtu edhe të tensionit të gjakut, e gjithashtu të kenë parasysh këshillat për të parandaluar këtë sëmundje”.
Në vendin tonë, shtoi ai, nuk kemi evidenca të sakta të numrit të diabetikëve, por konsiderohet se diku rreth 5-7 % janë me prevalencë të sëmundjes , ku 20-30 % prej tyre janë me insulinë të varur, të cilëve ajo u ofrohet falas nga MSh-ja.
Shefi i Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, Skender Syla tha se jemi të bindur se kemi arsye të shumta dhe duhet të punojmë shumë më shumë në ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve tona shëndetësore në funksion, pos tjerash, edhe të diagnostikimit më të mirë të diabetit. Dhe këtë jo vetëm sot kur shënojmë Ditën Botërore të diabetit por çdo ditë dhe me secilin pacient.
Ai tha se llogaritet që sot afër 415 milionë njerëz në botë kanë diabet. Motoja e sivjetme e DBD është ‘Sytë kah diabeti’ që mund të interpretohet edhe si thirrje për domosdoshmërinë e ngritjes së cilësisë së diagnostikimit të hershëm por edhe si thirrje për menaxhimin e mirë të diabetit si parakusht për shmangien e komplikimeve të të pamurit në mënyrë të veçantë”.
Drejtoresha e Klinikës të Endokrinologjisë (QKUK), Drita Mekuli ka folur për aktivitetet që kryhen në kuadër të Klinikës si për ofrimin e shërbimeve për të sëmurët, trajnimeve të ndryshme, por edhe punën e vazhdueshme të stafit të Klinikës në edukimin e pacientëve për kujdesin nga kjo sëmundje.
Ajo ka thënë se Klinika ka 38 shtretër ku për çdo vit kalendarik hospitalizohen afërsisht 800 pacientë, ku fokus të veçantë i jepet edukimit në kujdesin ndaj kësaj sëmundjeje.
Drita Peqani, mjeke në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tregoi për aktivitetet që kryhen në kuadër të Komunës së Prishtinës, si dhe për bashkëpunimin që kanë më Klinikën e Endokrinologjisë, me theks të veçantë në edukimin e vazhdueshëm profesional për sëmundjen e diabetit.
Ndryshe, Dita Botërore e Shëndetit shënohet që nga viti 1991 falë nismës së Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF) dhe përgjigjes së OBSh-së në shqetësimin në rritje për përshkallëzimin e kërcënimit shëndetësorë që bart diabeti. Por kjo nuk është dita e vetme që i dedikohet përpjekjeve të komunitetit shëndetësorë dhe publikut të gjerë për diagnostikimin sa më të hershëm dhe trajtimin sa më adekuat të diabetit. Kjo në fakt shënon fushatën më të madhe të ndërgjegjësimit për diabetin që në vitin 2014 kishte nxitur aktivitete të ndryshme ndërgjegjësimi në më shumë se 100 vende të botës dhe iu kishte dedikuar aktivitet avokuese përreth samitit tëG7, Asamblesë së Përgjithshme të KB dhe G20.
Në nivel botëror ka 415 milionë të rritur që jetojnë me diabet dhe ky numër pritet të rritet në 642 milionë, ose një në dhjetë të rritur ne vitin 2040; një në dy të rritur me diabet është i pa diagnostikuar; dhe rreth 90% e popullatës atakohet me diabetin tip 2 dhe 10% me diabet tip 1.
Reth 12% e totalit të shpenzimeve globale në shëndetësi aktualisht shpenzohet për të rriturit me diabet.